SHBA dhe Mbretëria e Bashkuar në OKB: Kosova pa krizë sigurie, UNMIK-u duhet të përfundojë

by Nexhat

Përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, Jeff Bartos, dhe përfaqësuesja e Mbretërisë së Bashkuar, Jennifer MacNaughtan, kanë dhënë mesazhe të njëzëshme për situatën në Kosovë, duke theksuar se vendi nuk ka krizë sigurie dhe se UNMIK-u duhet të përfundojë.

Bartos deklaroi se UNMIK-u ka humbur funksionin e tij fillestar dhe tashmë është bërë “një mision paqeruajtës pa paqeruajtës”.

banner

Ai shtoi se mbi 80 për qind e buxhetit të misionit shkon për pagat e stafit, për funksione që mund të kryhen nga organizata të tjera, dhe se takimet periodike për Kosovën në Këshillin e Sigurimit janë të panevojshme.

Përfaqësuesi amerikan bëri thirrje që Kosova dhe Serbia të përmbahen nga veprimet që mund të përshkallëzojnë tensionet dhe të ndërtojnë paqen dhe stabilitetin me njohjen e ndërsjellë si qëllim përfundimtar.

Nga ana e saj, përfaqësuesja britanike Jennifer MacNaughtan theksoi se Mbretëria e Bashkuar mbetet përkrahëse e palëkundur e zhvillimit demokratik të Kosovës dhe të rrugës së saj euroatlantike.

“Si ndër vendet e para që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, u bëjmë thirrje shteteve anëtare që ende nuk e kanë bërë këtë, t’i bashkohen shumicës. Njohja është esenciale për stabilitet afatgjatë dhe për zhbllokimin e potencialit të plotë të Kosovës,” deklaroi ajo.

MacNaughtan gjithashtu komentoi sulmin terrorist në Banjskë, duke thënë se llogaridhënia për këtë incident dhe për sulmet ndaj KFOR-it është pritur shumë gjatë.

Ajo inkurajoi progres të shpejtë drejt formimit të qeverisë në Kosovë dhe përgëzoi mbajtjen e qetë dhe demokratike të procesit zgjedhor lokal.

Përfaqësuesja britanike theksoi se rishikimi strategjik i UNMIK-ut është i nevojshëm dhe është pritur shumë gjatë.

Të dy diplomatët nënvizuan rëndësinë e stabilitetit, bashkëpunimit ndërkombëtar dhe përfundimit të rolit të UNMIK-ut, duke i dërguar një mesazh të qartë për nevojën e njohjes ndërkombëtare të Kosovës dhe forcimit të institucioneve të saj demokratike.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy