Trump, mesazh Zelenskyt dhe Putinit: “Marrëveshje mes Ukrainës dhe Rusisë ose do të ketë një çmim të lartë për t’u paguar”

by informim peje

Presidenti i Shteteve të Bashkuara: “A mund ta fitojë Ukraina luftën? Nuk besoj se do të ndodhë, por mund të ia dalë”.

Donald Trump ndryshoi sërish narrativën për luftën mes Ukrainës dhe Rusisë, pas bisedimeve të fundit me presidentin rus Vladimir Putin dhe presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.

banner

“Me Putinin nuk kam folur kurrë për Donbasin,” – tha Trump, duke hedhur poshtë spekulimet për një kërkesë nga Kremlini që Rusia të përfundojë luftën nëse i jepet Donetsku dhe gjithë rajoni i Donbasit. Kievi nuk ka ndërmend të japë territore, dhe sipas Trump, askush nuk i ka kërkuar Zelenskyt një gjë të tillë në takimin e së premtes në Shtëpinë e Bardhë.

Në realitet, vëmendja është përqendruar te Steve Witkoff, i dërguari special i Trumpit dhe ndërmjetësi me Putinin në misione të ndryshme në Moskë. Rusia i ka përfshirë rajonet e pushtuara në Kushtetutën e saj, ka thënë Witkoff sipas burimeve. “Atëherë, nëse i fusim dy rajone ruse në Kushtetutën ukrainase, do t’i fitojmë ato?”, ishte përgjigjja ironike e Zelenskyt, që tregon bllokimin aktual në pritje të samitit në Budapest, ku pritet të takohen Trump dhe Putin. Lideri ukrainas është i gatshëm të marrë pjesë në samit në çdo format, shkruan Adnokronos, përcjell Informim.net.

Kërcënimi i Trumpit

Trump është i bindur se të dyja vendet duhet të ndalojnë luftën, duke “ngrirë” konfliktin në pozicionet aktuale. Ndërsa Zelensky ka bërë thirrje për armëpushim të menjëhershëm, Kremlini nuk ka treguar qëndrime po aq të qarta. Trump u kthye te kjo temë gjatë një takimi me kryeministrin australian Anthony Albanese në Shtëpinë e Bardhë. Një gazetare e pyeti pse “njeriu më i fuqishëm në botë” nuk mund ta përfundojë luftën në një mënyrë të favorshme për Ukrainën.

“Po të dinte për çfarë po fliste… Duket e thjeshtë, por është shumë më e ndërlikuar se kaq. Jemi në proces për të arritur një marrëveshje. Nëse ia dalim, shumë mirë. Nëse nuk ka marrëveshje, shumë njerëz do të paguajnë një çmim të lartë,” – u përgjigj me ton të acaruar presidenti amerikan, pa saktësuar se cilët “njerëz” do të vuajnë pasojat. Trump vazhdon të jetë i bindur se Ukraina duhet të negociojë për t’i dhënë fund konfliktit.

“Ukraina mund ende ta fitojë luftën. Nuk mendoj se do të ndodhë, por mund të ndodhë. Nuk kam thënë kurrë që nuk mund ta bëjë, luftërat janë të çuditshme. Shikoni çfarë ndodhi në Lindjen e Mesme. Sulmi ynë në Iran e ndryshoi krejt situatën, i fshiu retë,” – tha Trump, duke zbutur disi tonin.

Kontaktet Moskë-Washington për samitin e Budapestit

Ndërkohë, Moska dhe Uashingtoni po përgatiten për takimin mes Trump dhe Putin që pritet të mbahet në Budapest brenda pak javësh. Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, zhvilloi një bisedë telefonike me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov, gjatë së cilës u diskutuan “hapat e ardhshëm” pas telefonatës së 16 tetorit mes dy presidentëve.

Rubio “theksoi rëndësinë e angazhimeve të ardhshme si mundësi për Moskën dhe Uashingtonin që të bashkëpunojnë për një zgjidhje të qëndrueshme të luftës mes Rusisë dhe Ukrainës, në përputhje me vizionin e presidentit Trump.”

Ministri i Jashtëm i Hungarisë viziton Uashingtonin

Në të njëjtën kohë, ministri i Jashtëm hungarez, Peter Szijjarto, njoftoi në një video në rrjetet sociale se do të vizitojë Uashingtonin të martën, më 21 tetor. Ai nuk tregoi me kë do të takohet dhe as axhendën e tij, por është e arsyeshme të besohet se vizita ka lidhje me samitin në Budapest.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy