Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, me t`u kthyer nga Samiti i Berlinit, do t`i bie të përballet me afatin e fundit për krijimin e Qeverisë, meqë akrepat e orës numërojnë prapa kohën e tij të mbetur prej 15 ditësh si mandatar.
Ani pse deri tash Kurti dhe anëtarët e tij të partisë kanë deklaruar pandërprerë se i kanë votat për Qeverinë, ka qenë vetë kryeministri në detyrë, i cili së fundmi nuk e mohoi se mund të dështoj në krijimin e kësaj Qeverie, duke theksuar se duket se alternativë janë zgjedhjet. Do ta ndjekim në vazhdim kronikën e cila flet për periudhën tetë mujore të përpjekjeve për krijimin e institucioneve të dala nga zgjedhjet e 9 shkurtit.
Kanë mbetur edhe 4 ditë para datës 26, kur konsumohet afati për numrat e nevojshëm, që ia mundësojnë mandatarit, kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, prezantimin e kabinetit që çon në formimin e qeverisë së re të vendit.
As sot, gjatë ditës nuk pati sinjale nëse po punohet në drejtim të sigurimit të 61 votave të nevojshme që do t’ia mundësonin Vetëvendosjes të materializonte rezultatin e 9 shkurtit.
Pas kalimit të disa muajve në një bllokadë institucionale, mes partive në Kuvend që kanë shpërfaqur qëndrime diametralisht të kundërta mbi konstituimin e legjislativit, mbetet e paqartë nëse deri të dielën Vetëvendosje do të arrijë të sigurojë partner për bashkëqeverisje.
Lëvizja Vetëvendosje që ka vetëm 48 deputetë, bashkë me pakicat joserbe nuk arrin numrin prej 61 votave të nevojshme për ta formuar qeverinë.
Ajo është shprehur e gatshme për një bashkëpunim me Lidhjen Demokratike të Kosovës, por kryetari i saj, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar vazhdimisht se LDK nuk i bashkohet në qeverisje Vetëvendosjes dhe dëshiron të qëndrojnë në opozitë.
Vetëvendosje, po ashtu ka deklaruar se nuk bën koalicion me Partinë Demokratike, as me Listën Serbe. Përndryshe, partia e udhëhequr nga Albin Kurti, gjatë gjithë kohës sa kanë zgjatur seancat e pasuksesshme për ta zgjedhur Albulena Haxhiun kryetare, kanë deklaruar se i kanë votat për Qeverinë.
Nga ana tjetër, ka pasur zëra vazhdimisht për synimin e 4 partive tjera, shqiptare në Kuvend, për ta bërë qeverinë, në rast se mandatari i parë dështon t’i bëjë numrat
Kryeministri në detyrë, nga Londra dje deklaroi se mbetet alternativë shkuarja në zgjedhje, nëse nuk bëhen numrat për qeverinë e re, deri të dielën dhe po ashtu tha se nuk sheh vullnet e as synim të taborit politik, deri tash opozitar, për ta marrë përgjegjësinë për krijimin e ekzekutivit.
Partia Demokratike që siguroi 24 ulëse në zgjedhjet e 9 shkurtit, Lidhja Demokratike që ka 20 deputetë në parlament, Aleanca 5 deputetë e Nisma Socialdemokrate, bashkë bëjnë 53 deputetë, numër prapë i pamjaftueshëm për krijimin e qeverisë së re, nëse nuk merr mbështetje nga komunitetet joserbe.
Deri më 26 tetor, Albin Kurti ka afat ta formojë qeverinë e re të vendit dhe rrjedhimisht ta dërgojë në Kuvendin e Kosovës propozimin e tij për kabinetin qeveritar, i cili duhet të marrë së paku 61 vota nga 120 deputetët e Kuvendit.
Kabineti duhet t’i sigurojë votat e 61 deputetëve brenda këtij afati. Por, nëse kjo nuk ndodh,
presidentja është e obliguar që brenda 10 ditëve t’i ftojë në konsultim edhe një herë partitë politike, edhe të vendosë, sipas diskrecionit të saj, për mandatarin e dytë, nëse i dëshmohet se i ka numrat për ta formuar Qeverinë.
Edhe i dyti ka 15 ditë kohë që t’ia paraqesë Kuvendit përbërjen e kabinetit qeveritar.
Nëse Qeveria nuk formohet as pas 40 ditësh, presidentja duhet të shpallë dekretin për zgjedhjet e reja, që duhet të mbahen dyzet ditë prej shpalljes së vendimit