Mbrojtja e Fadil Fazliut ka dorëzuar dosjen paraprake në rastin në të cilin së bashku me Hashim Thaçin, Bashkim Smakajn, Isni Kilajn dhe Hajredin Kuçin akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.
Mbrojtja e Fazliut thotë se besojnë që Gjykata Speciale do të vendosë duke u bazuar në fakte të besueshme dhe jo në spekulime. Presin që Fazliu të lirohet nga akuzat, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Sipas dosjes së paraprake, mbrojtja e Fazliut pretendon se rasti i Prokurorisë siç është paraqitur në parashtrimin paraprak, bazohet në spekulime, materiale të paqarta dhe fakte jo të verifikueshme.
Mbrojtja thotë se asnjë provë e besueshme apo e drejtpërdrejtë nuk tregon se Fazliu u përpoq të merrte pjesë në ndonjë plan të përbashkët për të penguar drejtësinë ose të ketë ndihmuar në shkeljen e urdhrave gjyqësor.
Veç kësaj, mbrojtja e Fazliut ka thënë në dosjen paraprake të saj se e konteston dosjen paraprake të Prokurorisë sa i përket vizitës së Falziut tek Thaçi më 2 korrik 2023.
Sipas mbrojtjes, pjesët e cituara nga Prokuroria nga regjistrimet e audiove janë pjesërisht të padallueshme nga Qendra e Paraburgimit.
“Pjesët e cituara nga ZPS përbëhen nga regjistrime audio pjesërisht të padallueshme nga qendra e paraburgimit, ku deklaratat e supozuara janë të rëndësishme nga tregues të padëgjueshmërisë dhe pasiguria e transkriptimit, dhe lindin në kontekstin e bisedave mbi të gjitha llojet e temave, shumica prej të cilave nuk ishin aspak të lidhura me rastin. Këto materiale nuk provojnë, sipas standardit penal, se z. Fazliu ka tentuar të japë udhëzime, të bindë, ose të ndërhyjë tek Dëshmitari 1”, thuhet në dosjen e mbrojtjes së Fazliut.
Përveç kësaj, aty thuhet se pjesët përkatëse nuk tregojnë se Fazliu ishte dakord, e kishte ndërmend ose që ndërmori përsipër që të jepte udhëzime tek dëshmitari 1. Mbrojtja thekson se pretendimet e PZS-së mbi gjendjen mendore ose sjelljen e mëvonshme të Fazliut janë spekuluese dhe të pambështetura nga ndonjë provë e drejtpërdrejtë.
Në dosje, gjithashtu thuhet se nuk ka ndonjë regjistrim, mesazh ose prova të pavarura që tregojnë ndonjë bisedë në mes Fazliut dhe dëshmitarit 1 mbi çështje nga të cilat dalin pretendimet e Prokurorisë.
Mbrojtja thotë se sipas dosjes së Prokurorisë, kjo e fundit pranon se e thirri Remin për t’u përgjigjur lidhur mbi pretendimet për ndërhyrje në dëshminë e tij, e që qartë dëshmitari kishte thënë se aksush nuk ndikoi tek ai.
Sipas mbrojtjes, ashtu sikurse shihet në dosjen e Prokurorisë, dëshmitari kishte deklaruar këtë gjë në mënyrë spontane para fillimit të pyetjeve.
Duke pasur këtë mohim nga Remi, mbrojtja pretendon se nuk ka baza të besueshme që Fazliu ka tentuar që të ndërhyjë ose të ndikojë në dëshminë e Remit. Mbrojta ka kontestuar edhe pretendimet e Prokurorisë që kanë të bëjnë me atë që ata e quajnë “Grupi Fazliu”.
Sipas mbrojtjes, këto materiale nuk tregojnë asnjë udhëzues të qartë për marrëveshje apo plan të përbashkët në mes Fazliut dhe të tjerëve për të ndikuar tek dëshmitari Rrustem Mustafa. Ata thonë se pretendimi i Prokurorisë se ky grup bashkëveproi është spekulues.
Gjithashtu, mbrojtja thotë se nuk ka prova që Fazliu ishte i vetëdijshëm se ndonjë prej temave të diskutuara kishte urdhër nga Gjykata që të mbetet konfidenciale.
“Vendimet që supozohet se u shkelën ishin në gjuhën angleze, një gjuhë që z. Fazliu nuk e flet, dhe nuk ishin subjekt i ndonjë raportimi mediatik në Kosovë kur u bënë fillimisht publike. Përkthimet në shqip u lëshuan vetëm në fillim të vitit 2024”, thuhet në dosje.
Ndërsa, një pjesë e informacioneve që pretendohet se u ndan gjatë vizitës së 2 korrikut 2023 sa i përket individëve dhe materialeve, sipas mbrojtjes, ishin çështje që ishin edhe në dispozicion për publikun si informacione.