Dragan Bursac: Kjo është Serbia e vitit 2025, një vend ku një kriminel lufte është qytetar nderi

by informim peje

“Përderisa arkivoli i Pavkoviqit do të ulet në tokë, përderisa ministrat serbë do të kryqëzohen dhe gjeneralët do të përshëndesin ushtarakisht, le të jehon diku në heshtje emri i Genc Berishës, djalit katërvjeçar të vrarë. Pse është vrasësi im qytetar nderi, pyet Genci Serbinë përmes përjetësisë së kohës dhe hapësirës? Ai fëmijë është biografia e Pavkoviqit.”

Shkruan: Dragan Bursac

banner

Po e shkruaj këtë si një – si ta them – kolumnë që nuk dëshiron të jetë “e balancuar”. Qëllimi i saj është që emri dhe vepra e kriminelit të luftës, Nebojsha Pavkoviq, të shihen ashtu siç e panë shumica e viktimave: troç.

Sot, krimineli i luftës Nebojsha Pavkoviq do të varroset në Alean e Qytetarëve të Merituar në Beograd.

Duket si humor i zi, si ndonjë skenë bizare nga një film surrealist, si një shaka në të cilën të gjithë janë tashmë të vdekur, vetëm se askush ende nuk është kujtuar ta fikë dritën.

Por nuk është shaka. Kjo është Serbia e vitit 2025. Një vend ku një kriminel lufte është – qytetar nderi.

Një vend ku muralet e Ratko Mladiqit mbijnë të freskëta si ikona.

Një vend ku Vojislav Sheshelj është profesor i patologjisë kombëtare – në transmetim të drejtpërdrejtë në televizionin Happy.

Një vend ku Novak Gjukiq, vrasësi i rinisë së Tuzlës, është njeri i lirë.

Një vend ku Vladimir Lazareviq, i dënuar për krime lufte, mban ligjërata, dhe të rinjtë e thërrasin “xhaxha Vlado”.

Dhe një vend ku Pavkoviq, komandanti i së keqes, shkon në vdekje me të gjitha nderimet shtetërore, kurora me lule dhe lotët krokodileskë të Vuçiqit.

Në atë vend, që kurrë nuk është parë në pasqyrë, Pavkoviq është simbol.

Jo i krimit – por i mohimit.

Jo i turpit – por i politikës shtetërore.

Jo i pendesës – por i vazhdimësisë.

Pavkoviq – gjak dhe plaçkë

Të rikujtojmë, edhe pse fjala “të rikujtojmë” në Serbi nuk ka kuptim, sepse atje kujtesa trajtohet si tradhti.

Pra, Pavkoviq më 2009 u dënua me 22 vjet burg nga Tribunali i Hagës për dëbime, zhvendosje të dhunshme, vrasje dhe persekutim të civilëve shqiptarë në Kosovë më 1999.

Ai ishte një nga shtyllat e makinerisë ushtarake të Millosheviqit.

Përkrah tij ishin Dragoljub Ojdaniq, Vladimir Lazareviq, Nikola Shainoviq, Sreten Lukiq – të gjithë ata që komandonin “mbrojtjen e atdheut”, ndërkohë që në të vërtetë planifikonin vrasje masive, kampe dhe dëbime të joserbëve.

Këta janë oficerët e vdekjes. Njerëz të cilët me urdhrat e tyre shuanin fshatra, familje, gjenerata të tëra.

Njerëz urdhrat e të cilëve i kthenin njerëzit e gjallë në statistikë vdekjeje, e pastaj atë statistikë në kapital politik.

Pavkoviq nuk komandoi vetëm luftën – ai komandoi fshirjen e së vërtetës.

Ai ishte drejtpërdrejt përgjegjës për deportime masive, vrasje dhe fshehjen e trupave të shqiptarëve të vrarë në frigoriferë që përfunduan më pas në Batajnicë, në periferi të Beogradit.

Imagjinoni këtë monstruozitet: vret një fëmijë, e ngarkon trupin në një kamion frigoriferik, e pastaj e transporton atë fëmijë nëpër autostradën “e vëllazërim-bashkimit”, për ta groposur pas një poligoni ushtarak në kryeqytet.

Kjo nuk është vetëm krim. Kjo është projekt shtetëror i së keqes.

Historia e shkurtër e Genc Berishës

Kujtoni familjen e vrarë Berisha.

Kujtoni fëmijët e vrarë.

Genc Berisha ishte katër vjeç.

Vëllai i tij Granit – dy vjeç.

Nëna e tyre Lirija ishte shtatzënë.

Genci në dorë mbante disa rruaza. Graniti kishte biberonin në gojë.

Pastaj, më 26 mars 1999, në fshatin Suharekë të Kosovës, arritën njësitë e Pavkoviqit.

Qëlluan në gjithçka që lëvizte.

Qëlluan në shtëpi, në njerëz, në fëmijë.

U vranë 48 anëtarë të familjes Berisha, mes tyre 18 fëmijë.

Edhe Genci. Edhe Graniti. Edhe Lirija me foshnjën e pa lindur.

Qëlluan derisa mbeti vetëm heshtja.

Mbijetuan vetëm dy gra, Shyhrete dhe Vjollca, të cilat u shtinë të vdekura, të shtrira mbi kufomat e familjarëve të tyre.

Dëshmia e tyre më vonë u bë pjesë e dosjes së Hagës.

Por historia nuk përfundon aty.

Sepse në Serbinë e Pavkoviqit – as të vdekurit nuk kanë qetësi.

Trupat e grave dhe fëmijëve të vrarë u ngarkuan në frigoriferë, u transportuan përtej kufirit dhe u varrosën në Serbi – në Batajnicë.

Pra, as në vdekje Pavkoviq nuk lejoi që viktimat të ishin viktima.

Donte që ato të ishin – të zhdukur.

Kur më 2001 u hapën varrezat masive, u gjetën sende të vogla: dy biberonë, një krehër fëmijësh, lapsa me ngjyra, një prerëse thonjsh.

Ishin gjurmë të një familjeje, një fëmijërie, një dashurie që ushtarët e Pavkoviqit e kishin kthyer në hi.

Profesori i vdekjes

Në vitin 2023, Pavkoviq u paraqit në një ligjëratë me video në shkollën fillore “Gjura Jakshiq” në Kaç, afër Novi Sadit.

Nuk ligjëroi për historinë e krimeve. Nuk foli për ato për të cilat ishte dënuar.

Jo, tema ishte: “Tregime heroike”.

Ai, krimineli i luftës, u drejtohej fëmijëve.

Si profesor.

Si autoritet.

Si model moral.

Imagjinoni këtë: fëmijët në klasë, ndërsa nga ekrani u buzëqesh një njeri i dënuar për deportime dhe vrasje të civilëve.

Dhe shteti nuk e sheh këtë si turp, por si “orë patriotizmi”.

Kjo është Serbia sot: një shtet që nga krimi krijon lëndë mësimore.

Hero në Uzhicka

Por Pavkoviq nuk ishte vetëm kasap – ishte edhe hajdut, përfitues i luftës.

Pronari i një vile në Uzhicka, banesave në Vraçar dhe kush e di sa pasurive të tjera të fshehura.

Gjithçka e blerë me gjak dhe heshtje.

Ky është “heroi” të cilit Vuçiq, para disa vitesh, i dëshironte “jetë të gjatë dhe shëndet të mirë”.

Dhe populli hesht.

Edhe opozita hesht.

Sepse “nuk është e hijshme të flasësh për të vdekurit”.

Pieteti, thonë.

Pieteti ndaj çkaje?

Ndaj krimit?

Qytetari i merituar i së keqes

Në Alean e Qytetarëve të Merituar në Beograd prehen njerëz që i kanë dhënë diçka shoqërisë.

Tani, aty do të pushojë një njeri që e ka shkatërruar dhe gjymtuar atë shoqëri.

Një njeri të cilit “merita” i është – vdekja.

Një njeri për të cilin heroizmi matet me tonë frigoriferësh dhe metra kub dheu nën të cilin janë fshehur fëmijë të vrarë.

Dhe tani, po, po e varrosin me nderime shtetërore.

Po ajo njëjta ushtri që dogji Gjakovën, Pejën, Suharekën – tani qëllon në ajër për “heroin” e saj.

Kjo nuk është varrim. Ky është ritual shtetëror mohimi.

Dhe gjithçka është logjike, për fat të keq.

Në një vend ku Mladiqi është në mure, e Shesheli në prime-time televiziv, Pavkoviqi është vetëm vazhdimi i natyrshëm i erozionit moral dhe rrënimit.

Sepse Serbia sot nuk jeton në kohën pas luftës – ajo jeton në kohën pas së vërtetës.

Në një vend ku e vërteta nuk ka më peshë e as kuptim, Pavkoviqi është – natyrisht – qytetar i merituar, qoftë edhe i vdekur.

Genc Berisha e di

Dhe përderisa arkivoli i Pavkoviqit do të ulet në tokë, përderisa ministrat do të kryqëzohen dhe gjeneralët do të përshëndesin ushtarakisht, le të jehon diku në heshtje një emër:

Genc Berisha.

Djalë katërvjeçar.

Rruaza në dorë.

Biberon në tokë.

Dhe një nënë e vdekur që nuk do ta përqafojë më kurrë.

Ai fëmijë është biografia e Pavkoviqit.

Jo grada e tij ushtarake, jo medaljet, jo akademia ushtarake.

Genc Berisha dhe të afërmit e tij të vrarë – këto janë diplomat e Pavkoviqit, këto janë dekoratat e tij.

Prandaj, le të varrosë Serbia Pavkoviqin në Alea, nëse ashtu dëshiron.

Por le ta dijë: çdo grimcë dheu mbi të – kundërmon padrejtësi dhe të keqe.

Dhe le ta dijë se asnjë ale, as në Beograd, as në Paris, as në Jerusalem, nuk mund ta pastrojë gjakun nga emri i njeriut që komandoi mbi kolonën e vdekjes.

Sepse Genc Berisha e di.

Dhe sytë e tij – nëse ndokush ka ende fuqi t’i imagjinojë – shikojnë drejt përmes nesh të gjithëve.

Pa urrejtje, pa akuza, vetëm me një heshtje që çan edhe qiellin edhe tokën:

“Pse është vrasësi im qytetar nderi?”

Dragan Bursac është një kolumnist boshnjak dhe profesor filozofie. Ai është angazhuar profesionalisht në gazetari që nga viti 1999.

Kjo kolumne është publikuar më 21 tetor 2025 në “Plenum.ba”

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy