Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka theksuar se partia e tij nuk ka ndryshuar qëndrim lidhur me mundësinë e një bashkëqeverisjeje me Lëvizjen Vetëvendosje (VV), duke e cilësuar këtë temë si “mjegull” të hedhur nga kryeministri Albin Kurti.
Në një intervistë për emisionin “DPT te Fidani” në Klan Kosova, Haziri u shpreh se LDK ka mbajtur një pozicion të qartë që nga 9 shkurti, kur ka vendosur të garojë për fitore në zgjedhje dhe, në rast të humbjes, të qëndrojë në opozitë.
“LDK nuk ka ndryshuar qëndrim politik. Para 9 shkurtit e ka bërë të qartë se hyn në garë për të fituar, dhe nëse nuk fiton, qëndron në opozitë. Edhe pas 9 shkurtit e kemi konfirmuar këtë qëndrim, përfshirë edhe në dy ftesat që na ka dërguar Lëvizja Vetëvendosje për bashkëpunim institucional”, deklaroi Haziri.
Ai shtoi se partia ka treguar korrektësi institucionale në proceset parlamentare, duke marrë pjesë aktive në votimet për nënkryetarët dhe kryesinë e Kuvendit, pavarësisht se nuk ka pasur mundësi të ndikojë në zhbllokimin e krizës politike.
“Ne i kemi thënë ‘faleminderit’ dhe kemi konfirmuar qëndrimin tonë të 9 shkurtit. Kemi qenë lojalë institucionalisht në çdo votim – për nënkryetarët, për kryetarin e Kuvendit – por nuk kemi qenë aq të fuqishëm sa ta zhbllokojmë krizën, megjithatë e kemi paralajmëruar”, tha Haziri.
Deklarata e tij vjen pas raportimeve për një mundësi të mundshme afrimi mes LDK-së dhe VV-së, të cilat Haziri i hodhi poshtë, duke nënvizuar se LDK mbetet në opozitë dhe e vendosur të garojë për qeverisje me votën e qytetarëve.