Kosova është shteti i parë që ka shprehur gatishmërinë për të pranuar kërkuesit e azilit të refuzuar nga Britania e Madhe.
Siç shkruan The Guardian, kjo si pjesë e një plani të ri të qeverisë britanike për të ngritur “qendra kthimi” në shtete të treta.
Madje siç shkruan britanikja, këtë e ka konfirmuar edhe kryeministri në detyrë Albin Kurti, duke pohuar se janë duke u zhvilluar bisedime me autoritetet britanike dhe ka theksuar se Kosova dëshiron të ndihmojë Britaninë në këtë proces.
Plani përfshin dërgimin e atyre që kërkesat e azilit të tyre janë refuzuar në qendra të huaja të paraburgimit, pasi të kenë shteruar të gjitha mundësitë për apel.
Ndryshe nga kryeministri Albin Kurti, ai shqiptar, Edi Rama përsëriti kundërshtimin e tij ndaj përpjekjeve të Britanisë për të krijuar qendra kthimi.
Ai citohet të ketë thënë:
“Kur bëhet fjalë për qendrat, ose sido që të quhen ato, e kam thënë dhe e përsëris: kurrë në Shqipëri”.
Kosova është një rast i veçantë në rajon, përmend The Guardian, derisa liderët e tjerë thonë se “kërkimi i vendeve për të hedhur emigrantët” është një dëshmi se Britania e Madhe ndodhet në “një vend të errët”.