Balotazhi i 9 nëntorit, Elezi: S’ka proces të ri të regjistrimit të votuesve jashtë Kosovës

by Nexhat

Për rundin e dytë të zgjedhjeve për kryetarë të Komunave, që pritet të mbahet më 9 nëntor, nuk do të ketë një proces të ri të regjistrimit të votuesve jashtë Kosovës. Në rrethin e dytë të Zgjedhjeve Lokale, në ato komuna që do të mbahen këto zgjedhje, votimi jashtë Kosovës përmes postës do të organizohet vetëm për shtetasit që janë regjistruar nga 23 korriku deri më 29 gusht.

Sipas të dhënave ende jopërfundimtare, rundi i dytë i zgjedhjeve për kryetarë të Komunave do të mbahet në 18 komuna, ndërkaq numri i votuesve jashtë Kosovës që i takojnë vetëm këtyre komunave është: 29,712.

banner

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë për KosovaPress se kjo është një çështje e rregulluar me Rregulloren Zgjedhore të KQZ-së për regjistrimin dhe votimin jashtë Kosovës,

“Në raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetarë komunash, të drejtë vote jashtë Kosovës do ta kenë vetëm votuesit që janë regjistruar me sukses gjatë periudhës së aplikimit për rundin e parë dhe vetëm për komunat ku do të zhvillohet rundi i dytë. Nuk do të hapet një periudhë e re për regjistrimin e votuesve jashtë vendit, pasi do të përdoret e njëjta listë e votuesve e miratuar më herët. Numri i përgjithshëm i shtetasve që janë regjistruar për të votuar nga jashtë Kosovës, në rundin e parë është 43,933. Nga ky numër do të zbriten votuesit e regjistruar në komunat në të cilat s’do të ketë rund të dytë”, tha ai.

Elezi tha se KQZ do të sigurohet që votuesve të regjistruar jashtë Kosovës t’ua dërgojë përmes postës pakon me fletëvotim.

“Ashtu si në rundin e parë, edhe kësaj radhe, KQZ do të sigurohet që, shtetasve të Kosovës që tashmë janë regjistruar për të votuar me postë nga jashtë vendit, t’ua dërgojë përmes postës pakon me fletëvotim. Kjo kosto do të mbulohet nga KQZ. Ndërkaq, detyrë e votuesit është që pakon me fletëvotim ta dërgojë në ndonjërën nga kutitë postare që janë hapur në 22 shtete të ndryshme të botës dhe në Kosovë”, tha Elezi.

Sipas KQZ-së, kutitë postare janë funksionale në këto shtete: Australi, Austri, Belgjikë, Çeki, Danimarkë, Francë, Gjermani, Holandë, Hungari, Itali, Kanada, Kosovë, Kroaci, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Mbretëria e Bashkuar, Norvegji, ShBA, Shqipëri, Slloveni, Suedi, Turqi dhe Zvicër. Deri më tani, sipas rezultateve jopërfundimtare, rundi i dytë i zgjedhjeve do të organizohet në 18 komuna, të cilat kanë numër të ndryshëm votuesish jashtë Kosovës të regjistruar për votim përmes postës: Gjakovë (3,150), Gjilan (2,066), Dragash (2,776), Kaçanik (1,149), Klinë (2,229), Fushë Kosovë (490), Mitrovicë e Jugut (1,186), Obiliq (221), Rahovec (1,902), Pejë (1,897), Prishtinë (1,715), Prizren (2,866), Suharekë (3,325), Viti (1,980), Vushtrri (1,020), Junik (1,344), Mamushë (357) dhe Kllokot (39).

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy