Edhe pak ditë na ndajnë nga afati i fundit për formimin e Qeverisë ku lidhur me këtë publicisti i njohur, Shkëlzen Maliqi tha se s’pret të ketë Qeveri pasi s’ka asnjë shenjë që Albin Kurti po punon në atë drejtim.
Ai tha se Kurti gjatë gjithë këtyre muajve ka ‘blerë’ kohë për të mbetur në karrigen e kryeministrit dhe se ofertat ‘tallava’ në drejtim të kreut të LDK-së ishin për t’a riposhtëruar.
“Krejt shkurt përgjigjja do të ishte jo. Nuk ka asnjë shenjë se Kurti po punon për krijimin e qeverisë, nuk i ka votat, dhe nuk e ka as atë zellin me tregu se votat i bën lehtë, veçse “opozita po e bllokon konstituimin e Kuvendit” kur ai në të vërtetë vetë blente kohë me mbetë në kolltukun e Kryeministrit. Duke pritur se me narrativat e tij të rreme të krijojë opinion kundër partive të tjera ku me njërën nga ato detyrohej të bënte koalicion, me LDK-në, nëse do të kërkonte falje për puçin e mesnatës kur e prishi koalicionin me Isa Mustafën, vetëm i dërgonte oferta tallava ‘dashurie’ Lumir Abdixhikut për me e riposhtëru” tha Maliqi për “Gazeta Blic”.
Ndërsa sipas publicistit, Maliqi, me PDK-në i njëjti nuk tenton të flasë për një koalicion të mundshëm.
Ai tha se e vetmja rrugadalje për të janë zgjedhjet e reja ku Kurti do t’a provojë fatin për të krijuar shumicën më të madhe se me 48 deputetë.
Maliqi potencoi se “Kurti është tashmë i humbur në spekulacione”.
“Me PDK-në as nuk e merrte mundin të komunikojë për koalicionin e mundshëm, sepse me këtë do ta shembte atë kullën e rreme të përkrahjes gjithpopullore që e kishte ndërtuar me 100 mijë vota ‘peshqesh’ që ia solli pazari me Vjosa Osmanin në vitin 2021. Sepse koalicioni me PDK do të ishte i fortë me numra por do ta ulte rolin e Kurtit, do të mbetej gjysëm mbret dhe i “kapur” nga ‘Hashimovitët’, kushdo që i del si partner në pushtet, Bedri Hamza ose Memli Krasniqi, çmim që ai s’ mund ta pranonte dhe nuk do ta pranon as tash, sepse do të rrënohet krejt konstruksioni i pushtetit të tij mbi “hajvanatin”, “kriminelët, “rrënuesit dhe plaçkitësit” e shtetit… E vetmja rrugëdalje për Kurtin janë zgjedhjet e reja ku edhe një herë do ta provojë fatin me e kriju një shumicë më të madhe se me 48 deputet, çka do ta ketë vështirë.Kurti është tashmë i humbur në spekulacione” tha Maliqi
Pas konstitumit të Kuvendit, me votimin e nënkryetarit nga komuniteti serb, Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, mandatoi Albin Kurtin për formimin e Qeverisë si partia e parë e dalë në zgjedhjet 9 shkurtit