OSBE-ODHIR publikon raportin final për zgjedhjet e 11 majit në Shqipëri

by Nexhat

Misioni i OSBE-së dhe Zyrës për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR) ka publikuar raportin përfundimtar mbi zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025 në Shqipëri, duke vlerësuar një proces konkurrues, por me mangësi të rëndësishme dhe një atmosferë politike tepër të polarizuar.

Pikat kryesore të raportit

banner

Zgjedhjet parlamentare të vitit 2025 ishin konkurruese dhe u zhvilluan në mënyrë profesionale, por u mbajtën në një mjedis tejet të polarizuar, ku garuesit nuk gëzuan mundësi të barabarta. Megjithatë, kandidatët në përgjithësi patën mundësinë të bëjnë fushatë lirshëm, megjithëse disa raportuan se u përballën me intimidim.

Votimi jashtë vendit, i realizuar për herë të parë në këto zgjedhje, u menaxhua mirë, pavarësisht dakordësimit politik dhe miratimit të vonë të kësaj mase, si dhe disa problemeve organizative. Partia në pushtet përfitoi nga përdorimi i gjerë i burimeve administrative gjatë fushatës, duke krijuar një avantazh të padrejtë për kandidatët që ishin ndërkohë në detyrë. Gjithashtu, pati shumë akuza për presion ndaj votuesve, veçanërisht ndaj punonjësve të administratës publike. Për më tepër, legjislacioni zgjedhor dhe interpretimi i tij i ngushtë nga administrata zgjedhore nuk parandaluan praktikat abuzive.

Në përgjithësi, fushata ishte e qetë, por pavarësisht nga kjo, u karakterizua nga një diskurs konfrontues dhe polarizues, veçanërisht online dhe sidomos mes dy partive politike kryesore dhe drejtuesve të tyre. Kandidatët, në shumicën e rasteve, ishin në gjendje ta zhvillonin fushatën lirisht, por mundësitë e garimit nuk ishin të barabarta. Partia në pushtet përfitoi nga përdorimi i gjerë i burimeve shtetërore dhe kapaciteteve institucionale, duke përfshirë edhe bërjen publike vetëm pak kohë para ditës së zgjedhjeve të faljes së një numri të madh gjobash, dhe zyrtarët e lartë qeveritarë u angazhuan në një numër të madh aktivitetesh zyrtare që shpesh përkonin me mesazhet e fushatës, duke e bërë të paqartë vijën ndarëse mes shtetit dhe partisë.

Megjithëse kërkohet me ligj, asnjë prej kandidatëve nuk bëri publike të dhëna lidhur me donacione apo hua dhe KQZ-ja nuk mund të ndërmerrte ndonjë veprim për shkak se nuk ka instrumente ligjore për të siguruar zbatueshmërinë e dispozitave ligjore përkatëse. Mungesa e raportimit të ndërmjetëm dhe shqetësimet lidhur me efikasitetin e auditimit e ulin edhe më shumë transparencën dhe llogaridhënien në financimin e fushatës.

Megjithëse procesi i votimit u vlerësua përgjithësisht pozitivisht në 95 për qind të vëzhgimeve, pati një numër të lartë vlerësimesh negative, kryesisht për shkak të mangësive procedurale dhe një niveli presioni mbi votuesit. Parregullsitë serioze që u vërejtën përfshinin një numër të konsiderueshëm incidentesh të frikësimit dhe ndërhyrjes së vëzhguesve dhe përfaqësuesve të partive në proces, ndikim tek zgjedhësit dhe pretendime për shit-blerje votash. Përveç kësaj, fshehtësia e votës u komprometua shpesh për shkak të mënyrës së organizimit të qendrave të votimit, mbipopullimit dhe ndërhyrjeve. Më shumë se gjysma e qendrave të votimit të vëzhguara nuk ishin të përshtatshme si duhet për votim në mënyrë të pavarur nga personat me aftësi të kufizuara

Në raport evidentohet se për herë të parë, SPAK-u ngriti një task forcë hetimore dhe një platformë online për raportimin e veprave penale zgjedhore.

Deri më 10 maj, nga 138 raportime për pretendime për krime zgjedhore janë nisur 39 procedime penale, shumica e të cilave kanë të bëjnë me akuza për korrupsion pasiv dhe aktiv.

Konkretisht, SPAK-u ka nisur tetë procedime ex officio. Bashkëpunimi midis SPAK-ut, KQZ-së dhe Prokurorisë së Përgjithshme, bazuar në një protokoll ndërinstitucional mundësoi shkëmbimin e informacioneve lidhur me krimet zgjedhore.

Raporti i plote: https://www.osce.org/files/f/documents/4/7/590685.pdf

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy