Pas më shumë se 110 ditësh mungesë, Bayern Munich merr më në fund një lajm të madh: Jamal Musiala është rikthyer në stërvitje me pjesën tjetër të skuadrës.
Mesfushori ofensiv gjerman, një nga talentet më premtues të futbollit evropian, është shëruar plotësisht nga fraktura e këmbës që pësoi gjatë Kupës së Botës për Klube në korrik.
Të enjten, Musiala doli për herë të parë në fushë me grupin nën drejtimin e trajnerit Vincent Kompany, duke shënuar një moment shumë të rëndësishëm në rikuperimin e tij.
“Kjo është hera e parë që rikthehem në fushë, një ndjesi e mrekullueshme. Hap pas hapi do ta kap formën e duhur,” tha Musiala për kanalet zyrtare të klubit.
Sipas Sky Sports DE, talenti 21-vjeçar synon të rikthehet në lojë në dhjetor, kur Bayerni do të përballet me Stuttgart, Sporting, Mainz dhe Heidenheim.
Ndërkohë, drejtori sportiv Christoph Freund, pas fitores 4–0 ndaj Brugge në Champions League, u shpreh i kujdesshëm: “Do të duhet ende pak kohë, por situata është pozitive. Tani ai mund të mbështetet plotësisht në këmbë.”
Musiala vetë pranoi se kjo periudhë e vështirë i ka dhënë një mësim të madh: “Një dëmtim i tillë të mëson ta njohësh më mirë trupin dhe të rikthehesh më i fortë. Këto kohë e kam kuptuar sa shumë e dua futbollin.”
Rikthimi i tij shihet si një shtysë e madhe për Bayernin, që kërkon të ruajë ritmin e lartë në kampionat dhe në Ligën e Kampionëve.