Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sorensen, në një intervistë për “Agenzia Nova”, ka deklaruar se normalizimi i marrëdhënieve mes dy vendeve nuk është proces që përmbyllet me një takim të vetëm. Ai theksoi se ky është një proces i vazhdueshëm që zhvillohet çdo ditë për të përmirësuar jetën e qytetarëve.
Sorensen tha se që prej marrjes së mandatit në janar, kur zëvendësoi Miroslav Lajçakun, ka zhvilluar dhjetëra takime në rajon.
“Që nga marrja e detyrës, kam mbajtur më shumë se 60 takime zyrtare në rajon dhe kam organizuar dy raunde të takimeve të kryenegociatorëve në Bruksel, ku diskutuam çështje shumë konkrete – nga bashkëpunimi ekonomik deri te personat e zhdukur gjatë luftës në Kosovë. Procesi nuk është gjithmonë linear dhe shumëçka ndodh prapa skenave, por çdo ditë bëhet përparim i vërtetë. Çdo ditë njerëzit, automjetet dhe mallrat lëvizin lirshëm mes Kosovës dhe Serbisë. Vetëm këtë verë, mbi 1.7 milion njerëz dhe rreth 650 mijë automjete kaluan pikat e përbashkëta kufitare. Veturat me targa të lëshuara nga Kosova tani mund të hyjnë në Serbi, ndërsa qytetarët paguajnë për energjinë që konsumojnë sipas kushteve të dakorduara. Kjo është provë e prekshme se dialogu po funksionon”, theksoi Sorensen.
Ai nënvizoi se dialogu i lehtësuar nga BE-ja mbetet platforma kryesore për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, ndërsa rruga e të dyja vendeve drejt integrimit evropian varet nga ky proces.
“Sot Beogradi dhe Prishtina janë angazhuar në diskutime të drejtpërdrejta dhe kanë arritur mbi 90 marrëveshje që përfshijnë çështje praktike të përditshme. Këto janë rezultate që vitet e pranisë ndërkombëtare, përfshirë një numër të madh forcash paqeruajtëse, s’kanë mundur t’i arrinin vetëm”, tha ai.
Sorensen theksoi se zgjerimi mbetet përparësi kyçe për Bashkimin Evropian.
“Plani i rritjes tregon angazhimin tonë për të ardhmen e rajonit, duke vendosur pritje të qarta. Për Serbinë dhe Kosovën, kjo do të thotë angazhim konstruktiv në normalizimin e marrëdhënieve të tyre”, shtoi ai.
Duke komentuar zgjedhjet lokale në Kosovë të mbajtura më 12 tetor, Sorensen i përshëndeti ato për zhvillimin në frymë paqësore, konkurruese dhe gjithëpërfshirëse.
“Të gjitha komunitetet morën pjesë dhe mbulimi mediatik ishte i lirë dhe i drejtë, duke kontribuar në një proces transparent. Pjesëmarrja në komunat me shumicë serbe ishte mesatarisht mbi 50 për qind, që është shenjë shumë pozitive. Serbët e Kosovës morën pjesë dhe në nëntë komuna me shumicë serbe, partitë serbe fituan si postet e kryetarëve ashtu edhe shumicën në këshillat komunale. Tani kemi përfaqësues të zgjedhur. Ky është një hap i rëndësishëm përpara, që tregon se ata janë pjesë integrale e shoqërisë së Kosovës. Këto zgjedhje paqësore dhe kthimi i kryetarëve të bashkive hapin gjithashtu rrugën për diskutime më të gjera mbi riintegrimin e serbëve të Kosovës që braktisën institucionet në vitin 2022”, tha emisari evropian.
Në përfundim, Sorensen u bëri thirrje udhëheqësve në rajon për angazhim konstruktiv:
“Dialogu është platforma ku Kosova dhe Serbia mund të adresojnë mosmarrëveshjet me qetësi dhe konstruktivitet. Prandaj, i inkurajojmë të dyja palët të përmbahen nga shkëmbimet publike dhe të fokusohen te zbatimi i angazhimeve të dakorduara në dialog”, përfundoi ai.