Një 35-vjeçar që ishte shpallur në kërkim për ngjarjen e 4 tetorit, ku dyshohet se pas një konflikti në familje ka tentuar të vrasë gjyshin e tij me thikë, është arrestuar sot në zonën kufitare te Kapshticës, teksa po tentonte arratisjen në Greqi. I moshuari mbeti i plagosur nga disa goditje prej nipit, por pa rrezik jete.
Policia Kufitare e Korçës konfirmoi arrestimin e të kërkuarit V.Sh., që u pikas në zonën e gjelbërt të kufirit pranë fshatit Vërnik në Devoll.
“Në vijim të punës intensive të shërbimeve të Drejtorisë Vendore të Kufirit dhe Migracionit Korçë, me qëllim parandalimin dhe goditjen e krimeve ndërkufitare dhe kapjen e shtetasve në kërkim, është kapur nga shërbimet e Kufirit të Gjelbërt në PKK Kapshticë, në fshatin Vërnik, Devoll, shtetasin V. Sh. që po tentonte të kalonte kufirin, në kundërshtim me ligjin”, bëri me dije policia vendore.
Më tej u sqarua se pas verifikimeve nga specialistët e Seksionit të Hetimit të Krimeve të Rënda ndaj Personit, u ekzekutua edhe urdhri i ndalimit që ka nxjerrë Prokuroria e Korçës për 35-vjeçarin banues në Bilisht.
Ndaj tij rëndojnë akuzat “vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”, e mbetur në tentativë dhe “prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
“Ky shtetas dyshohet se më datë 04.10.2025, ka goditur disa herë me thikë, gjyshin e tij”, sqaroi policia