Presidenti amerikan, Donald Trump, ka paralajmëruar Izraelin se çdo hap drejt aneksimit të Bregut Perëndimor do të sjellë pasoja serioze në marrëdhëniet dypalëshe, duke përfshirë humbjen e mbështetjes nga Shtetet e Bashkuara.
Në një intervistë për revistën TIME, Trump tha se nuk do të lejojë që Izraeli të ndërmarrë veprime të tilla, pasi ka dhënë fjalën e tij vendeve arabe për ruajtjen e status quo-së në rajon.
“Kjo nuk do të ndodhë sepse u dhashë fjalën vendeve arabe… Izraeli do të humbasë të gjithë mbështetjen e tij nga Shtetet e Bashkuara nëse kjo do të ndodhte,” deklaroi Trump.
Kjo deklaratë vjen pasi ligjvënësit izraelitë votuan të mërkurën për të avancuar dy projektligje që parashikojnë aneksimin e pjesëve të Bregut Perëndimor të pushtuar. Megjithatë, ministri i Jashtëm izraelit, Gideon Saar, njoftoi të enjten se qeveria nuk do ta çojë procesin përpara në këtë fazë, duke thënë se synimi është mbështetja e “planit shumëfazor të Trump për Gazën”.
Sipas agjencisë Reuters, ndërtimi i vendbanimeve izraelite është zgjeruar ndjeshëm që nga viti 2022, nën qeverinë e kryeministrit Benjamin Netanyahu, e cila përfshin partnerë ultranacionalistë që kërkojnë aneksimin e plotë të Bregut Perëndimor dhe Gazës.
Zyrtarë të lartë amerikanë, përfshirë Sekretarin e Shtetit dhe senatorin republikan Marco Rubio, kanë paralajmëruar se çdo përpjekje për aneksim do të rrezikonte marrëveshjet e armëpushimit dhe përpjekjet për paqe në Lindjen e Mesme.
Nga ana tjetër, Ministria e Jashtme palestineze e ka dënuar vendimin e Knessetit, duke theksuar se Izraeli “nuk ka asnjë sovranitet mbi tokën palestineze”.