BE dështon me marrëveshjen për asetet ruse – Belgjika bllokon planin për ndihmën ndaj Ukrainës

by informim peje

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian nuk arritën të bien dakord për përdorimin e aseteve të ngrira të Rusisë për të ndihmuar Ukrainën, pasi Belgjika ngriti shqetësime ligjore dhe teknike, raportojnë burime nga Brukseli. Në takimin e mbajtur më 23 tetor, liderët e BE-së kërkuan nga Komisioni Evropian që të vazhdojë punën për një plan që do të lejonte përdorimin e rreth 140 miliardë eurove nga rezervat e ngrira të Bankës Qendrore të Rusisë, për të mbështetur nevojat ushtarake dhe buxhetore të Ukrainës.

Megjithatë, diplomatët thanë se marrëveshja përfundimtare mbetet ende e paarritshme. “Udhëheqësit evropianë u zotuan se nevojat financiare të Ukrainës do të mbulohen për dy vitet e ardhshme,” – deklaroi presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, pas samitit. “Rusia duhet ta marrë këtë mesazh: Ukraina do të ketë burimet financiare që i nevojiten për t’u mbrojtur nga agresioni rus,” – shtoi ai. Costa theksoi se çështjet teknike mund të zgjidhen dhe se “zgjidhja është e arritshme”. BE-ja ka ngrirë rreth 200 miliardë euro asete ruse që nga pushtimi i Ukrainës në vitin 2022, por deri më tani ka përdorur vetëm interesin e krijuar nga këto fonde.

banner

Nga ana tjetër, Moska paralajmëroi më 23 tetor se çdo veprim mbi asetet ruse “është i pavlefshëm nga pikëpamja e së drejtës ndërkombëtare” dhe se do të “nxisë një përgjigje të dhimbshme”.

Belgjika: “Nuk jemi kundër, por duam garanci”

Pjesa më e madhe e aseteve ruse ndodhet në Belgjikë, përmes kompanisë Euroclear.
Kryeministri belg, Bart De Wever, tha se vendi i tij kërkon garanci të forta nga të gjitha shtetet e BE-së se do të ndajnë përgjegjësinë në rast se Rusia kërkon kompensim ligjor. “Jam vetëm Belgjika e vogël dhe e varfër; mund të tregoj ku janë problemet dhe të kërkoj zgjidhje,” – tha ai për gazetarët, duke paralajmëruar se “politikisht dhe ligjërisht do të ndalojë vendimin” nëse kushtet nuk plotësohen.

Për shkak të kundërshtimeve belge, teksti përfundimtar i konkluzioneve të samitit u zbut dhe nuk përmendi drejtpërdrejt huan, por ftoi Komisionin të paraqesë “opsione për mbështetje financiare” për vitet 2026 dhe 2027. Opsionet e reja pritet t’u prezantohen liderëve në samitin e dhjetorit. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i pranishëm në samit, e quajti takimin “pozitiv”. “Bashkimi Evropian garantoi se ndihma financiare për Ukrainën do të vazhdojë jo vetëm vitin e ardhshëm, por edhe në vitin 2027. Ky është vendim i rëndësishëm unanim,” – shkroi ai në platformën X. Ndërkohë, kancelari gjerman Friedrich Merz tha se pret që Komisioni Evropian të paraqesë zgjidhje konkrete për përdorimin e aseteve ruse përpara./REL

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy