Tifo-grupi i njohur “Dardanët” ka konfirmuar se do të organizojë udhëtim masiv drejt Lubjanës, për ta mbështetur Kombëtaren e Kosovës në ndeshjen kundër Sllovenisë, e cila zhvillohet më 15 nëntor.
Në njoftimin e publikuar nga “Dardanët”, thuhet se tifozët janë më të motivuar se kurrë për ta përkrahur Kosovën në këtë sfidë të rëndësishme, që mund të shënojë një ditë historike për kombëtaren tonë.
“Dardanët do të udhëtojnë në Lubjanë më të motivuar së kurrë dhe më me besim se çdoherë tjetër, në ndeshjen ndaj Sllovenisë më 15 nëntor, për ta pritur shënimin e ditës së madhe për kombëtaren tonë!”, thuhet në njoftim e “Dardanëve”.
Sa i përket biletave, tifo-grupi ka bërë të ditur se përparësi do të kenë ata që kanë marrë pjesë në ndeshjet e mëparshme si mysafirë, në shenjë respekti për përkushtimin dhe pasionin që kanë treguar në përkrahje të kombëtares.
“Prioriteti do t’u takojë tifozëve që kanë qenë prezent në ndeshjet jashtë vendit, ndërsa më pas biletat e mbetura do t’u shpërndahen anëtarëve tjerë të grupit”, thuhet më tej në njoftimin e ‘Dardanëve’.
Të gjithë të interesuarit që i plotësojnë kriteret janë ftuar të paraqiten në fanclub-in e “Dardanëve” në Prishtinë, për t’u koordinuar rreth udhëtimit që pritet të jetë triumfal, historik dhe i paharruar.
Në fund, “Dardanët” e mbyllin njoftimin me mesazhin simbolik: “Besa-besë, Kosovë!”

