Në vizitën dyditore që i bënë një pjesë të Dukagjinit në Kosovë, një numër i konsiderueshëm profesorësh dhe maturantë të gjimnazit “Dr. Ibrahim Temo” nga Struga vizituan edhe shtëpinë e Ferdonije Qerkezit në Gjakovë.
Më 27 mars 1999, forcat e armatosura serbe ia rrëmbyen Nënë Ferdonijes bashkëshortin dhe katër djemtë.
“Me lot në sy kuadri pedagogjik dhe nxënësit i shprehën kësaj nëne të përvuajtur dhembjen e madhe për tragjedinë që ka përjetuar gjatë zbatimit të gjenocidit që kreu Serbia në Kosovë. Dhembja për viktimat e gjenocidit është dhembje e çdo njeriu!”.
“Shembulli i kuadrit pedagogjik dhe nxënësve struganë është domethënës për të gjitha ata që dëshirojnë të dëshmojnë se ne nuk harrojmë viktimat e gjenocidit dhe tmerret që përjetuan shqiptarët e Kosovës gjatë luftës së viteve 1998-1999. Me respekt për të gjithë të rënit për liri!”, tha Florentina Hani, profesoreshë e gjimnazit “Dr. Ibrahim Temo” në Strugë.


