Trajneri i Manchester United, Ruben Amorim, ka reaguar ndaj komenteve të trajnerit të Liverpoolit, Arne Slot, pas fitores së “Djajve të Kuq” në “Anfield” fundjavën e kaluar.
Pas ndeshjes, Slot e kishte cilësuar stilin e United si “lojë me topa të gjatë”, por Amorim ka refuzuar të hyjë në polemika, duke theksuar se nuk i intereson se çfarë mendojnë të tjerët për mënyrën e lojës së skuadrës së tij.
“Nuk më intereson çfarë thotë Slot apo çfarë thonë njerëzit për ekipin tonë,” tha Amorim para përballjes me Brightonin.
“E shikoj vetë ndeshjen dhe e di që mund të luajmë më mirë, dhe duhet të luajmë më mirë në të ardhmen. Por ndonjëherë duhet t’i përshtatesh lojës.”
Trajneri portugez shtoi se është i vetëdijshëm për mangësitë e skuadrës së tij me topin në zotërim, por e vlerëson faktin që ekipi i tij di të përshtatet ndaj çdo kundërshtari.
“Nuk kam nevojë që dikush tjetër ta vlerësojë ekipin tim. E di shumë mirë që duhet të luajmë më mirë me topin dhe do të përpiqemi ta bëjmë këtë në këtë ndeshje,” shtoi Amorim.
“Jam i lumtur që skuadra di të zhvillojë loje të ndryshme ndeshjesh. Fitorja ndaj Liverpoolit ishte e rëndësishme, por unë isha i pari që thashë se duhet të luajmë më mirë me topin”, theksoi Amorim.
Në fund, tekniku i United theksoi se dueli me Liverpoolin tashmë i përket së kaluarës, ndërsa fokusi është te ndeshja e radhës.
“Liverpooli është e kaluara. Ajo që ka rëndësi tani është ajo që tha Fabian (Hurzeler) – të përpiqemi të kuptojmë se çfarë do të ndodhë ndaj Brightonit”, përfundoi ai.
Manchester United përballet me Brightonin këtë fundjavë në kuadër të Premier Ligës, ku Amorim synon të vazhdojë serinë pozitive të rezultateve

