Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se marrëdhënia e tij me kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, është shumë miqësore në aspektin personal, ndërsa në aspektin politik ekzistojnë dallime të pashmangshme në këndvështrime.
Rama, në një intervistë për Deutsche Welle në shqip, tha se në të gjitha aspektet e bashkëpunimit me Kosovën, përfshirë atë ndërshtetëror, është arritur përparim i konsiderueshëm dhe po punohet bashkërisht për projekte madhore.
“Me Albinin kam një marrëdhënie shumë miqësore në aspektin personal, por kemi dallime të pashmangshme në këndvështrime, dhe këto dallime i ndajmë në mënyrë të hapur dhe të drejtpërdrejtë. Në të gjitha aspektet e bashkëpunimit me Kosovën, në bashkëpunimin ndërshtetëror, kemi bërë goxha përparim, dhe jemi duke punuar bashkërisht për një vepër madhore siç është hekurudha Durrës-Prishtinë”, u shpreh Rama.
Përsa i përket çështjes mes Kosovës dhe Serbisë, Rama theksoi se Prishtina zyrtare duhet të përmbushë të gjitha obligimet e dala nga dialogu dhe pastaj përgjegjësia për veprimet e mëtejshme i mbetet Serbisë, duke nënvizuar se Kosova duhet të shkëputet plotësisht nga ndikimi i Serbisë.
“Sipas meje, Kosova duhet ta harrojë krejt Serbinë në kuptimin që duhet të përmbushë në mënyrë unilaterale të gjitha kërkesat e dialogut dhe t’ia lërë, siç i themi ne, topin në derë Serbisë, duke i thënë Evropës, duke u thënë të gjitha vendeve të Evropës, edhe atyre që nuk e njohin akoma, ‘ja kush jemi ne, i përmbushëm, i firmosëm dhe tani shkoni dhe merrjani firmën Serbisë’. Por duhet të shkëputet totalisht nga Serbia dhe nuk duket të jetojë me idenë e Serbisë”, deklaroi mes tjerash kryeministri shqiptar për DW

