Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, ka deklaruar se partia e tij nuk do të japë asnjë votë për formimin e “Qeverisë Kurti 3”, duke theksuar se PDK-ja nuk do të jetë pjesë e asnjë koalicioni me Lëvizjen Vetëvendosje.
Në një prononcim për media, Tahiri kujtoi se qëndrimi i PDK-së ka qenë i qartë që nga certifikimi i rezultateve zgjedhore.
“Partia Demokratike e ka bërë të qartë prej certifikimit të zgjedhjeve, që në asnjë rrethanë nuk do të jetë pjesë e asnjë koalicioni me Lëvizjen Vetëvendosje, dhe as nuk do të ketë votë për Lëvizjen Vetëvendosje,” tha ai.
Deputeti opozitar u shpreh i bindur se Albin Kurti nuk do të arrijë të formojë qeverinë e re, duke parashikuar dështimin e përpjekjeve të tij për të siguruar shumicën parlamentare.
Sipas Tahirit, skena politike në Kosovë po përballet me pasiguri institucionale, të cilat – siç tha ai – janë pasojë e mungesës së konsensusit dhe qasjes përjashtuese të Lëvizjes Vetëvendosje ndaj partive të tjera.

