Deputeti i komunitetit rom në Kuvendin e Kosovës, Albert Kinolli, ka konfirmuar se ka arritur një marrëveshje me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për përfshirjen e Partisë Rome të Bashkuar të Kosovës në përbërjen e re qeveritare.
Në një lidhje direkte për televizionin T7, Kinolli deklaroi se do të votojë pro Qeverisë Kurti 3, e cila pritet të prezantohet sot në Kuvendin e Kosovës.
“Do ta japim votën pro për Qeverinë Kurti 3. Me kryeministrin jemi takuar disa herë dhe kemi një marrëveshje me të,” – tha Kinolli.
Ai shtoi se për herë të parë, komuniteti rom do të përfaqësohet me një pozitë ministrore në qeverinë e re.
“Për ne nuk ka rëndësi cila pozitë, me rëndësi është që të formohen institucionet. Jemi të gatshëm të japim kontributin tonë në cilëndo ministri që na jepet, por sipas të gjitha gjasave, do të jetë Ministria e Zhvillimit Rajonal,” – deklaroi deputeti Kinolli.
Marrëveshja me Vetëvendosjen pritet t’i sigurojë votat e nevojshme për formimin e qeverisë së tretë të drejtuar nga Albin Kurti.

