Ekonomisti i njohur kosovar, Safet Gërxhaliu, ka kundërshtuar ashpër deklaratat e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, i cili së fundmi e ka cilësuar Kosovën si “storie suksesi” në rritjen ekonomike. Në një intervistë për Ekonomia Online, Gërxhaliu ka theksuar se realiteti ekonomik i vendit është shumë larg asaj që përshkruhet në deklaratat politike.
Sipas tij, Kosova nuk mund të ketë rritje ekonomike në një situatë ku vendi mbetet i varur nga importi, eksportet janë tkurrur, mungon dialogu mes sektorit publik dhe atij privat, investimet e huaja janë pothuajse inekzistente dhe kostoja e lartë e energjisë po e dëmton rëndë sektorin prodhues.
“Kur i dëgjon deklaratat e politikanëve kosovarë në konferenca ndërkombëtare, duhet të ndryshohet qasja e studimit të ekonomisë. Nuk mund të quhet rritje ekonomike një vend që varet nga importi, që ka rekord të importit në vitin 2025, me eksporte në rënie, me zero investime të huaja dhe me sektor prodhues që po ngulfatet nga energjia e shtrenjtë,” deklaroi Gërxhaliu.
Ai shtoi se realiteti ekonomik është shumë më i zymtë se sa përpiqen ta paraqesin qeveritarët: “Nëse kemi rritje ekonomike, pse po largohet rinia? Mbi 210 mijë qytetarë janë larguar vitet e fundit, ndërsa në Gjermani jetojnë tashmë rreth 600 mijë kosovarë. Këto nuk janë tregues të suksesit, por të krizës.”
Ekonomisti kritikoi gjithashtu mungesën e moralit politik dhe manipulimin me ndjenjat e qytetarëve, duke theksuar se rritja e inflacionit dhe varfërimi i shportës familjare e dëshmojnë gjendjen e vërtetë ekonomike.
“Çka ke blerë me 100 euro para disa vitesh, sot e blen me 300 euro. Nëse kjo është rritje ekonomike, atëherë le të gëzohet partia, por qytetari është ai që dënohet,” u shpreh ai.
Në përfundim, Gërxhaliu tha se Kosova po përballet me krizë institucionale dhe politike, që po reflektohet drejtpërdrejt në ekonomi. “Kosova është pa institucione funksionale dhe pa zgjidhje për problemet reale. Rritja ekonomike po përdoret si metaforë politike, por jo si realitet ekonomik,” përfundoi ai.

