Boksieri shqiptar Jurgen Uldedaj ka shkruar historinë mbrëmjen e djeshme, duke u shpallur Kampion i Botës në versionin IBO në kategorinë “cruiserweight”. Pas viteve të tëra përkushtimi, stërvitjes së paepur dhe besimit në vetvete, Uldedaj arriti të realizojë ëndrrën që ka ndjekur që në fëmijëri.
“Sot është dita që kam ëndërruar gjithë jetën time,” – shkroi Uldedaj pas fitores së madhe. “Pas shumë viteve sakrifice, mundi dhe besimi në Zot, u shpalla Kampion i Botës IBO në peshën cruiser. Ky titull nuk është vetëm i imi – është për gjithë shqiptarët kudo që janë.”
Me flamurin kuqezi mbi supe, Uldedaj i dedikoi suksesin e tij gjithë kombit shqiptar, duke i dërguar një mesazh frymëzues çdo të riu që ëndërron të arrijë majat:
“Për ata që besuan tek unë, për ata që më mbështetën, dhe për çdo djalë apo vajzë që ka një ëndërr — asgjë nuk është e pamundur nëse nuk dorëzohesh.”
Kampioni nuk harroi të falënderonte ekipin e tij, trajnerët, familjen dhe të gjithë ata që e kanë ndihmuar në këtë rrugëtim të gjatë drejt majës.
“Sot shkruam histori për Shqipërinë,” – përfundoi Uldedaj me emocion.
Me këtë fitore, Jurgen Uldedaj jo vetëm që ngjitet në elitën e boksit botëror, por i jep Shqipërisë një tjetër moment krenarie në arenën ndërkombëtare të sportit.

