Bayern Munichu po përjeton njërën nga fillimet më të mira në historinë e tij.
Me fitoren 3-0 ndaj Borussia Mönchengladbach, gjiganti bavarez arriti në 13 fitore radhazi në të gjitha garat, duke barazuar rekordin e vendosur nga AC Milan në sezonin 1992/93,
Golashënuesit e ndeshjes ishin Joshua Kimmich, Raphaël Guerreiro dhe Lennart Karl, të cilët vulosën një tjetër paraqitje dominuese të skuadrës së Vincent Kompany, e cila nuk ka pësuar asnjë humbje këtë sezon.
Deri më tani, Bayern ka fituar Kupën Franz-Beckenbauer, ka kaluar me sukses raundin e parë të DFB-Pokal, ka fituar të triat ndeshjet e Ligës së Kampionëve, dhe ka marrë maksimumin e pikëve nga tetë ndeshjet e para në Bundesliga.
“Kjo arritje nuk erdhi rastësisht. Është shpërblimi për punën e palodhur,” tha Kimmich pas ndeshjes.
“Kemi një skuadër fantastike. Edhe lojtarët që futen nga stoli bëjnë diferencën. Ka konkurrencë, por të gjithë shtyjmë drejt të njëjtit qëllim”, shtoi ai.
Statistikat e mbështesin plotësisht: Bayern ka një golavarazh 47-9, madje më të mirë se ai i Milanit të Fabio Capello, i cili kishte 45-13 gjatë serisë së tij rekord.
Megjithatë, klubi mbetet i kujdesshëm para se ta shpallë veten si mbajtësin e ri të rekordit.
“Të mërkurën kemi një tjetër sfidë në Kupë kundër Köln. Nuk mund të relaksohemi,” tha Vincent Kompany, i cili së fundmi ka zgjatur kontratën me klubin.
“Jemi në një moment të mirë, por duhet të qëndrojmë të përulur dhe të vazhdojmë punën”, vazhdoi trajneri belg.
Trajneri belg ka arritur atë që shumë paraardhës të tij nuk mundën – ka rikthyer stabilitetin në dhomën e zhveshjes dhe e ka fokusuar klubin vetëm te futbolli.
Drejtori sportiv Max Eberl e përmblodhi më së miri: “Rinovimi i kontratës së Vinniet ishte vendimtar. Ky Bayern është solid, por ende i uritur”.
Për momentin, Bayern Munichu ka barazuar rekordin legjendar të Milanit… dhe të mërkurën mund të hyjë në histori.

