Gazetari nga Shqipëria, Gazmend Saiti, ka komentuar për “Kosova Live” emërimin e ish-ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës të Kosovës, Liburn Aliu, në postin e drejtorit të Portit të Durrësit.
Sipas Saitit, ky emërim ka më shumë prapavijë politike se sa profesionale, dhe shihet si pjesë e një përpjekjeje të vazhdueshme të kryeministrit shqiptar, Edi Rama, për të pasur qasje më të thellë në informacionet që lidhen me qeverisjen e Albin Kurtit.
“Tentativa ka qenë gjithmonë e vazhdueshme nga ana e Ramës për të marrë sa më shumë informacione në lidhje me qeverisjen e Albin Kurtit. Në rastin konkret me Liburn Aliun, ndoshta nuk do të ketë shumë informacione, por nga disa burime thuhet se ai ka qenë personi kyç që ka pasur marrëdhënie të drejtpërdrejta me Serbinë në kuadër të qeverisë së Kurtit,” ka deklaruar Saiti.
Sipas tij, për Ramën kjo është një mënyrë për të qenë më i informuar dhe për të ruajtur ndikim rajonal, përfshirë edhe përmes figurave që kanë qenë pjesë e afërt e qeverisë së Kosovës.
“Njëjtë siç veproi më herët me rastin e Vlorë Hysenit, tani po ndodh e njëjta gjë me Liburn Aliun,” ka shtuar Saiti, duke theksuar se emërimi i tij në Portin e Durrësit ka karakter politik.
“Pozita kishte një drejtor aktual. Ndryshimi është bërë vetëm për ta goditur politikisht kryeministrin Albin Kurti,” tha ai.

