Veprimtari dhe biznesmeni shqiptaro-amerikan, Harry Bajraktari thotë se forcat politike në Kosovë i kanë vendosur “interesat personale mbi ato kombëtare”.
Duke komentuar dështimin e zgjedhjes së qeverisë së re, ai shkroi në një postim në Facebook se “kjo situatë rrezikon të dëmtojë marrëdhëniet me miqtë dhe aleatët”.
Ai ka kërkuar përgjegjësi dhe unitet.
“Zhvillimet e fundit në Kosovë tregojnë se të gjitha forcat politike kanë vendosur interesat personale mbi ato kombëtare. Partitë politike duhet të gjejnë guximin të komunikojnë dhe të bashkëpunojnë për ta çuar vendin përpara, e jo ta bllokojnë atë. Çdo vonesë është një mundësi e humbur për zhvillim dhe përparim. Kjo situatë rrezikon të dëmtojë marrëdhëniet me miqtë dhe aleatët tanë, të cilët gjithmonë kanë qëndruar pranë Kosovës. Është koha për përgjegjësi, unitet dhe veprim”, shkroi ai.

