Një emër i ri ka hyrë në listën e shkurtër të Bayern München për repartin ofensiv. Sipas raportimeve të Sky Germany, kampionët rekord të Gjermanisë po e ndjekin me shumë interes sulmuesin kosovar Fisnik Asllani, që aktivizohet me TSG Hoffenheim në Bundesliga.
Asllani shihet si kandidat ideal për të qenë rezervë pas Harry Kane, me bavarezët që tashmë po analizojnë mundësinë e një transferimi në të ardhmen e afërt.
Sulmuesi i kombëtares së Kosovës është nën kontratë me Hoffenheim deri në vitin 2029, por sipas të njëjtit burim, në marrëveshjen e tij ekziston një klauzolë daljeje për verën e vitit 2026, çka e bën lëvizjen potencialisht të realizueshme.
Interesimi për Asllanin nuk vjen vetëm nga Bavarezët. Përveç Bayern-it, Liverpool, Arsenal, Manchester United dhe FC Barcelona janë po ashtu ndër klubet që po e monitorojnë me vëmendje paraqitjet e tij.
Sipas Sky reporterit Florian Plettenberg, Bayern është i impresionuar jo vetëm nga aspekti sportiv i lojtarit, por edhe nga karakteri i tij.
“Jo vetëm që ka cilësi të lartë sportive, por edhe një karakter shumë të fortë – diçka që Bayern po e vlerëson veçanërisht në këtë periudhë,” – deklaroi Plettenberg.
Mësohet se Asllani ka qenë temë diskutimi në zyrat e Säbener Straße edhe dy apo tre vite më parë, por atëherë nuk pati lëvizje konkrete. Tani, situata ka ndryshuar dhe emri i tij është rikthyer fuqishëm në axhendën e drejtuesve bavarezë.
Një transferim i mundshëm i Asllanit do ta bënte ofensivën e Bayern-it më të gjerë dhe më të sigurt për të ardhmen, ndërsa Harry Kane do të merrte më në fund një rezervë të denjë pas vetes.

