I dëmtuari deklaron se njëri i akuzuar i dha para me fajde dhe e kanosi kur ia vonoi kamatën, e tjetri thotë se mori kredi t’i ndihmonte për borxhe

by Nexhat

Në Gjykatën Themelore në Pejë- Dega në Istog në seancën e së hënës vazhdoi dëshminë i dëmtuari Rifat Jasiq, i cili deklaroi se nga i akuzuari Xhevdet Cacaj mori para me fajde, e që kur ia vononte kamatën ka pasur rast kur është kanosur. Kurse, tha se i akuzuari Isuf Thaqi kishte hyrë në kredi për t’i ndihmuar me borxhe.

Në këtë rast, Arbër Gashi, Ajet Kuqi, Xhevdet Cacaj, Idriz Gashi, Shërbim Berisha dhe Isuf Thaqi akuzohen për fajde, raporton “Betimi për Drejtësi”.

banner

Në procesverbalin e seancës së të hënës, thuhet se i dëmtuari Rifat Jasiq deklaroi se qëndron pranë deklaratës së dhënë në Prokurori më 2019 dhe asaj më 11 qershor 2025 dhënë para Gjykatës.

Sipas procesverbalit, Jasiq deklaroi se nga i akuzuari Xhevdet Cacaj ka marrë herë 2 mijë, herë 3 mijë e herë 5 mijë euro, të cilat shuma thotë se janë shënuar në fletoret që i ka sekuestruar Policia.

“Të cilat para i kam marrë me fajde dhe me kamatë 10 përqind, përveç kamatës për këto para të marra nga ky i pandehur më është dashur edhe ta qaros të njëjtin me nga 100 ose 200 euro kesh, kur nuk kisha nganjëherë që të njëjtit t’i bëjë pagesat e fajdesë më thirrte në telefon dhe më thoshte ta bëjë me be Deçanin, ta bëj me pasaportë”, citohet se deklaroi Jasiq.

Ndërkaq, lidhur me shumën prej 6 mijë euro, Jasiq theksohet se ka thënë se ia kërkoi të akuzuarit Cacaj t’ia gjejë pasi kishte nevojë, e që ai i ka thënë se do ia gjejë një shok. Ato para, tha se ia solli Cacaj, e që bashkë me të ishte edhe i pandehuri Idriz Gashi.

Sipas Jasiqit, Cacaj i ka thënë se paratë janë të të pandehurit Gashi, por që ky beson se ishin të Cacajt. Tha se mendon që këtë e bëri në mënyrë që fajdeja t’i paguhej më shpejtë.

“Nuk e di pse e ka përzi Idrizin në këtë punë, dhe për këtë shumë të parave fajden prej 15% çdo herë në çdo muaj ma ka lyp i pandehuri Xhevdet dhe jo i pandehuri Idriz, me arsyetimin se Idrizi është në bjeshkë dhe ai më ka çu me i marrë”, citohet se deklaroi i dëmtuari.

Po ashtu, i dëmtuari theksoi se për çdo punë që ka pasur si me tregti, si me borxhe të fajdesë, ka mbajtur shënime në fletore.

Në procesverbal thuhet se ai theksoi se varësisht nga shuma e parave që ka marrë nga i pandehuri Cacaj, shuma e kamatës ka qenë ndryshe. Tha se familja e të pandehurit nuk e ka kërcënuar asnjëherë.

“Por, Xhevdeti edhe fëmijëve të mi iu ka dalë në rrugë dhe ju ka thënë gjithçka”, citohet të ketë thënë Jasiq dhe ka shtuar se atë personalisht e ka kërcënuar në telefon kur nuk ka mundur t’i kryejë pagesat e fajdesë me kohë.

Më pas, i akuzuari Xhevdet Cacaj deklaroi se i dëmtuari ia kishte borxh 2 mijë euro dhe se të njëjtat ia ka kthyer, duke theksuar se asnjë shumë tjetër nuk ia ka dhënë Jasiqit. Tha se rastin e pretenduar të kanosjes e kishin lajmëruar në Polici, por ka dalë që ishte deklarim i rremë.

I dëmtuari në seancë deklaroi se të akuzuarin Isuf Thaqi e njeh që nga paralufta dhe se sa herë ka qenë në nevojë, ai i kishte gjetur para. Madje, sipas tij, Thaqi kishte marrë edhe kredi dhe paratë ia kishte dhënë atij, por që Jasiq pretendon se pastaj ia ka paguar sa kishte lartësinë e kredisë. Tha se është cuditur kur pa se në mesin e të pandehurve është edhe Thaqi.

Gjithnjë sipas procesverbalit, Jasiq tha se me sa i kujtohet edhe për të pandehurin Thaqi ka mbajtur shënim për boxhet që ia ka marrë dhe ato që ia ka kthyer.

“Kur i njëjti më ka dhënë para të vetat- që nuk i ka marrë kredi, të njëjtat i kam paguar me kamatë më të vogël dhe atë kamatë vjetore 5% në vit. Për shembull, nëse m’i ka dhënë 10 mijë euro, unë ia kam kthyer 11 mijë e 500, dhe me të njëjtin kam qenë i barazuar dhe nuk kam pasur ndonjë detyrim”, thuhet të ketë deklaruar Jasiq.

Ai thher se deklaroi se i kishte kërkuar të akuzuarit Thaqi që të hynte në kredi për të sepse nuk po mund t’ia kthente borxhet dhe pastaj ato para t’ia jepte e t’ia paguante edhe këstin e kredisë. Tha se ka pasur raste që edhe vetë ka shkuar të paguajë ndonjë këst të kredisë dhe shtoi se Thaqi nuk e ka kanosur asnjëherë.

Edhe vetë i akuzuari Thaqi tha se të dëmtuarit Jasiq nuk i ka dhënë para me fajde por vetëm ato që i ka marrë kredi sepse ia kishte kërkuar i dëmtuari. Sipas tij, Jasiq ia kishte dhënë mobiliet për dy dhoma të fjetjes.

Në këtë seancë mungoi i pandehuri Shërbim Berisha, i cili sipas procesverbalit thuhet se ka qenë i ftuar në mënyrë të rregullt, por mbrojtësi i tij- avokati Shpëtim Berisha njoftoi se i njëjti gjendet në Zvicër. Më pas, Gjykata veçoi procedurën për të pandehurin Shërbim Berisha dhe u bë e ditur se për sigurimin e tij në seancë, do të lëshohet urdhërarrest.

Në seancë mungoi edhe dëshmitarja K.R., për të cilën gjykata nuk kishte prova se është ftuar me rregull. Me pajtimin e palëve, dëshmia e saj u konsiderua e lexuar.

Në seancën e radhës pritet që dëshmitari Sh.J., të dëgjohet përmes video-linkut.

Të akuzuarit Arbër Gashi, Ajet Kuqi, Xhevdet Cacaj, Idriz Gashi, Shërbim Berisha, Blerim Thaqi dhe Isuf Thaqi, ngarkohen për veprën penale të fajdesë, në dëm të dëmtuarit Rifat Jasiq. Për të akuzuarin Blerim Thaqi ishte veçuar procedura penale.

Sipas aktakuzës të ngritur nga Prokuroria Themelore në Pejë, më 13 korrik 2018, të akuzuarit ngarkohen për veprën penale të fajdesë, në dëm të dëmtuarit Rifat Jasiq.

Sipas aktakuzës, G.D., akuzohej se në vitin 2015 kishte shfrytëzuar gjendjen ekonomike të dëmtuarit Rifat Jasiq, duke kontraktuar kamatë jopropercionale në këmbim të hollave. Sipas akuzës, i pandehuri i kishte dhënë të dëmtuarit shumën prej 90 mijë euro me kamatë prej 5% në muaj.

Ndërsa sipas dispozitivit të dytë, D., akuzohej se i kishte dhënë shumën prej 23 mijë euro me kamatë prej 10% në muaj dhe pasi i dëmtuari nuk e paguan në tërësi kamatën, i pandehuri ia shton borxhin bazë në shumë prej 27 mijë euro dhe kamatën prej 7 mijë euro.

I pandehuri Arbër Gashi akuzohet se në Deçan, në vitin 2014 dhe vitin 2015, i kishte dhënë të dëmtuarit shumën prej 4 mijë euro me kamatë 10% në muaj dhe shumën prej 17 mijë euro në këmbim të kamatës prej 10% në muaj.

I pandehuri Ajet Kuqi akuzohet se në vitin 2016, të dëmtuarit i kishte dhënë shumën prej 10 mijë euro me kamatë mujore prej 8% në muaj.

I pandehuri Xhevdet Cacaj akuzohet se në vitin 2015, të dëmtuarit ia kishte dhënë me fajde shumën prej 5 mijë euro me kamatë prej 7% në muaj, ndërsa në vitin 2016 akuzohet se i kishte dhënë përsëri të dëmtuarit shumën prej 2 mijë euro me kamatë mujore prej 10% . Ndërsa sipas dispozitivit të tretë, i njëjti akuzohet se e kishte ngarkuar të dëmtuarin me 15% kamatë mujore, për të hollat e dhëna në shumë prej 6 mijë euro në muaj.

I pandehuri Idriz Gashi akuzohet se më 2016, të dëmtuarit i kishte dhënë hua me fajde në shumë prej 6 mijë euro, me kamatë prej 15% në muaj.

I pandehuri Përparim Rexhepi akuzohet se i dha të dëmtuarit shumën prej 15 mijë euro, me kamatë mujore prej 6%.

I pandehuri Shërbim Berisha akuzohet se i kishte dhënë të dëmtuarit shumën prej 15 mijë euro, me kamatë mujore prej 5% në muaj apo 750 euro në muaj. Tutje, i pandehuri Blerim Thaqi akuzohet se i kishte dhënë të dëmtuarit shumën prej 15 mijë euro, me kamatë mujore prej 3 % në muaj.

I pandehuri Isuf Thaqi akuzohet se i kishte dhënë të dëmtuarit në periudha të ndryshme kohore shumën prej 20 mijë euro, me kamatë prej 5% në muaj. Kurse, i akuzuari Qamil Pajaziti akuzohet se i kishte dhënë të dëmtuarit shumën prej 4 mijë euro, me kamatë mujore prej 7.5%, përkatësisht nga 300 euro në muaj.

Me këto veprime, ata akuzohen se në vazhdimësi kanë kryer veprën penale “Fajdeja”, nga neni 343, paragrafi 1 dhe lidhur me nenin 81 të KPRK-së.

Ndryshe, në këtë rast akuzohej edhe L.K., mirëpo për të njëjtin kishte pushuar procedura penale për shkak se ka ndërruar jetë. Sipas aktit akuzues, ai akuzohej se i kishte dhënë të dëmtuarit shumën prej 10 mijë euro me kamatë mujore prej 4% në muaj, kurse pas pagesës nga i dëmtuari të kamatës në shumë prej 1 mijë e 200 euro, ai ia kishte rritur përqindjen në 5% në muaj, ku i njëjti për periudhën prej 12 muaj paguan 500 euro në muaj në emër të kamatës. /BetimipërDrejtësi

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy