Ditën e djeshme Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka mbajtur një konferencë për media pas dështimit të formimit të qeverisë së re.
Në fjalim e tij, Kurti tha se LDK e kundërshton kategorikisht qeverinë e udhëhequr nga ai dhe Nisma nuk dëshiron të jetë pjesë e qeverisë.
Madje Kurti në një moment tha se qëllimi i tij ishte të shkëpuste LDK-në nga PDK-ja.
Në lidhje me këtë në një prononcim për Indeksonline, deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj thotë se Kurti është mirë mirë të mendojë për problemet brenda partisë së vet e jo të merret me partitë tjera.
‘’Qëllimi gjithmonë i deputetit Kurti është që të përçajë sa më shumë që është e mundur spektrin politik, deklaratat e tij gjithmonë shkojnë në atë drejtim, nuk ka të drejtë deputeti Albin Kurti që të flasë për partitë politike tjera, mendoj që ai i ka 100 probleme brenda subjektit të tij’’, thotë Qalaj.
Po ashtu Kurti në fjalimin e tij tha se ka pasur disa deputetë që në rast se do të mbahej një votim i fsheftë, Albulena Haxhiu do të zgjidhej kryetare e Kuvendit.
Për këtë Qalaj ka një përgjigje.
‘’Deputetët e PDK-së janë njerëz me integritet dhe ata vendosin gjithmonë në kuadër të pajtushmërisë së partisë dhe unë nuk kam ndonjë informatë se ndonjëri prej tyre do ta votonte Haxhiun në votim të fsheftë’’, shprehet Qalaj për Indeksonline.
Por a mund të kemi dy parë zgjedhje parlamentare në Kosovë brenda një periudhe të shkurtër kohor?
‘’Në situatën në të cilën gjendemi është shumë e mundur që të kemi zgjedhje edhe në dimër dhe në pranverë edhe pse nuk mund të paragjykojmë se si do të jetë rezultati në zgjedhjet e dhjetorit, unë besoj që LVV-ja dhe partnerët e saj do ta kenë një ramje drastike nga vota e popullit’’, thotë Qalaj për Indeksonline.
Ndryshe, më 26 tetor, Kurti nuk arriti t’i sigurojë 61 votat e nevojshme për nisjen e një mandati të ri në pushtet, pasi mori 56 vota për.
Tashmë i takon presidentes së vendit, Vjosa Osmani që të vendosë për hapat e mëtejmë

