Kryeministri Edi Rama është i pranishëm në Riad të Arabia Saudite, për Edicionin e 9-të të Future Investment Initiative, një prej forumeve më të rëndësishme globale për inovacionin, teknologjinë dhe investimet e qëndrueshme, që mbledh liderë botërorë e sipërmarrës për të diskutuar mbi të ardhmen e ekonomisë globale.
I ftuar në një prej paneleve për të diskutuar, ku mes të tjerëve ishte edhe kreu i FIFA-s, Gianni Infantino, i pyetur nga moderatori, kreu i qeverisë u shpreh i shqetësuar për situatën gjeopolitike aktuale, kryesisht për luftën mes Ukrainës dhe Rusisë, kërcënimeve të kësja të fundit me planet bërthamore dhe situatën ku u kap Evropa e papërgatitur dhe pa plane të hershme.
“Europa nuk kishte plan paqeje, ndërkohë që e vuri veten në autopilotin e SHBA-ve deri tani. Kishte hequr dorë nga të gjitha dhe tani ngeci tek armatimet. Është shqetësuese të mbetesh të plani i armatimeve”, tha kryeministri.
Më tej ai shtoi se nuk i takonte të jepte leksione apo të tregonte se çfarë duhet të bëjë njëri apo tjetri vend, por shprehu trazimin e tij për situatën ku ndodhet bota, nën kërcënimin e armëve bërthamore dhe rrezikut të paqes.
“Jam kryeministër jetëgjatë i një vendi të vogël. Nuk më takon mua të bëj leksion dhe të them se çfarë duhet të bëjnë të tjerët, por si evropian i shqetësuar ndihem i trazuar se fjala armë bërthamore është kthyer në fjalor të zakonshëm, kurse më parë nuk përdorej nga askush.
Se çfarë duhet të bëjë e të mos bëjë Europa nuk është punë e Shqipërisë, edhe pse kështu është mirë kështu, sepse kur Evropa ka sukses, kemi edhe ne.
Nuk ka asnjë vend të pasur që të jetë i shëmtuar”, tha Rama mes të tjerash në fjalën e tij.
Kryeministri foli edhe për vizionin dhe inovacionin, duke iu referuar Arabisë Saudite si një prej “lokomotivave” aktuale të botës.
“Ka vende të mrekullueshme që mund të jenë të varfra, por jo shtete të pasura që janë të shëmtuara. Sot Mbretëria Sauditë është një model dhe kjo lidhet me vizionin, bukurinë, transformimin, që është i prekshëm.
Evropa, apo Perëndimi tani po përjeton inercinë dhe jo imagjinatën.
Imagjinata ushqehet nga inovacioni, nga nevoja për të shkuar më lartë, lidhet po kështu me bukuritë.
Kjo më ndodhi edhe mua kur isha kryetar bashkie i Tiranës, kur lyem pallatet, e më thoshin se janë thjesht fasadë, por kjo lidhej me vizionin, sepse imagjino ngrihesh në mëngjes del në rrugë dhe sheh përreth”, tha kryeministri.

