Më 31 tetor, në Gjykatën Kushtetuese do të mbahet seanca për të shqyrtuar dy kërkesat ankimore të Erion Veliajt: atë për shfuqizimin e dekretit për zgjedhjet në Tiranë, ashtu sikurse edhe shfuqizimin e vendimit të Këshillit të Ministrave për shkarkimin e tij.
Këtë të martë, Gjykata Kushtetuese tha se kishte njoftuar zyrtarisht Veliajn për seancën në fjalë dhe se, pas shprehjes së pëlqimit të tij për të qenë i pranishëm, Gjykata ka njoftuar Prokurorinë e Posaçme për këtë pjesëmarrje.
“Gjykata Kushtetuese datë 09.10.2025, ka njoftuar kërkuesin Erion Veliaj për datën dhe orën e zhvillimit të seancës plenare publike në 31.10.2025. Gjithashtu Gjykata Kushtetuese më datë 13.10.2025, ka njoftuar Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve duke e vënë në dijeni për datën dhe orën e zhvillimit të seancës plenare publike, si dhe marrjen e masave për shoqërimin e zotit Erion Veliaj në seancën plenare publike në rast se do të shprehej vullneti për marrjen pjesë personalisht në gjykim. Në vijim, në datën 20.10.2025, pas shprehjes së vullnetit të kërkuesit, Gjykata ka njoftuar edhe Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në lidhje me sa më sipër”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese

