Futbolli turk tronditet nga një tjetër skandal i madh. Hetimet më të fundit kanë zbuluar përfshirjen e dhjetëra zyrtarëve të fushës në aktivitete të paligjshme bastesh sportive, duke hedhur hije të rënda mbi integritetin e garave në vend.
Presidenti i Federatës Turke të Futbollit (TFF), Ibrahim Haciosmanoglu, konfirmoi në një deklaratë për shtyp se nga 571 gjyqtarë të regjistruar, plot 371 kanë pasur llogari të hapura në kompani bastesh online. Më alarmante është fakti se 152 prej tyre janë kapur duke marrë pjesë aktivisht në vendosjen e basteve.
“Federata do të ndërmarrë masa të menjëhershme për të pastruar futbollin nga çdo formë abuzimi. Nuk do të ketë asnjë tolerim”, u shpreh Haciosmanoglu, duke paralajmëruar dënime të ashpra për të gjithë të përfshirët.
Sipas burimeve të hetimit, 22 nga gjyqtarët e përfshirë janë pjesë e nivelit më të lartë të garave në Turqi, duke përfshirë edhe disa asistentë të Superligës. Një prej tyre rezulton të ketë vendosur mbi 18 mijë baste, ndërsa 42 të tjerë kanë regjistruar më shumë se 1000 baste secili, shifra që kanë tronditur opinionin sportiv në vend.
Federata turke pritet të publikojë në ditët në vijim masat disiplinore dhe pezullimet zyrtare, në një përpjekje për të rikthyer besimin dhe transparencën në futbollin turk, tashmë të goditur rëndë nga një tjetër aferë korruptive.

