Ish-mesfushori i Real Madridit, Toni Kroos, ka komentuar polemikat që lindën pas reagimit të Vinicius Junior në momentin kur ai u zëvendësua nga trajneri Xabi Alonso gjatë ndeshjes kundër Barcelonës.
Vinicius u pa i irrituar dhe u drejtua menjëherë drejt dhomave të zhveshjes, gjë që shkaktoi debat të madh në media dhe rrjete sociale.
Kroos, në një prononcim për mediat spanjolle, tha se e kupton plotësisht reagimin e bashkëlojtarit të tij.
“Kur je në një ndeshje ku po performon shumë mirë, veçanërisht në një ndeshje si kjo, nuk je i lumtur kur sheh se duhet të dalësh nga fusha. As mua nuk më ka pëlqyer kurrë të më zëvendësojnë. Por, për të qenë i drejtë, nuk kam shkuar kurrë direkt në dhomën e zhveshjes më pas”, tha Kroos.
Gjermani shtoi se emocionet në situata të tilla janë të forta dhe vështirë të kontrollohen.
“Gjithmonë mund të gjykosh nga jashtë, por nga eksperienca personale mund të them se në një ‘Clasico’, përpara 80 mijë tifozëve, gjëja e fundit që dëshiron është të largohesh përpara kohe. Shumica e atyre që e gjykojnë, thjesht nuk mund ta vendosin veten në vendin e tij”, theksoi Kroos.
Me këto deklarata, Kroos i doli në mbrojtje bashkëlojtarit të tij, duke kërkuar mirëkuptim për emocionet e futbollistëve në ndeshje të rëndësishme si ‘El Clasico’.

