Një ngjarje e pazakontë ka tronditur botën e sportit.
Basketbollisti rus, Danil Kasatkin, që luan si organizator për ekipin MBA-MAI të Moskës, është arrestuar në Francë dhe rrezikon deri në 25 vjet burgim pas akuzave për përfshirje në një seri sulmesh kibernetike kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Sipas agjencisë ruse RIA Novosti, Kasatkin, 26 vjeç, dyshohet se ka qenë i përfshirë në një rrjet hakerësh rusë që ka kryer mashtrime kundër rreth 900 kompanive amerikane, përfshirë dy institucione federale, gjatë periudhës 2020–2022.
Megjithatë, lojtari mohon çdo lidhje me këtë grup dhe pretendon se kompjuteri i tij është hakeruar, duke u përdorur nga autorët e vërtetë për të kryer krimet nën emrin e tij.
Kasatkin u ndalua më 21 qershor në aeroportin Charles de Gaulle të Parisit, sapo kishte zbritur në kryeqytetin francez, ku kishte planifikuar t’i bënte propozim për martesë së dashurës së tij.
Arrestimi u krye me kërkesë të autoriteteve amerikane, të cilat kërkuan menjëherë ekstradimin e tij.
Gjykata franceze miratoi këtë të mërkurë kërkesën e Shteteve të Bashkuara për ekstradim, por vendimi mund të ankimohet brenda dhjetë ditëve.
Fjalën e fundit për dorëzimin e tij do ta ketë kryeministri francez.
Ndërkohë, Ministria e Jashtme e Rusisë dhe Federata Ruse e Basketbollit kanë nisur kontakte me autoritetet franceze për të ndihmuar lojtarin dhe për të kërkuar qartësi mbi akuzat.
Nëse shpallet fajtor, Kasatkin mund të përballet me një dënim maksimal prej 25 vitesh burgim, në një rast që ka marrë përmasa ndërkombëtare dhe ka hapur debat mbi sigurinë kibernetike dhe përfshirjen e shtetasve rusë në sulme të këtij lloji.

