Homel nga Atlantic Council: Pezullimi i Dialogut Strategjik, reflektim i frustrimit të thellë të Uashingtonit

by Nexhat

Më 12 shtator të këtij viti, Shtetet e Bashkuara të Amerikës njoftuan se kanë pezulluar për një kohë të pacaktuar Dialogun e planifikuar Strategjik me Kosovën.

Njoftimi u bë publik në një njoftim në Facebook të Ambasadës së ShBA-së në Prishtinë. Aty u tha se veprimet e Qeverisë së udhëhequr nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, kanë “rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë, duke kufizuar aftësinë e Shteteve të Bashkuara për të punuar në mënyrë produktive me Kosovën mbi prioritetet e përbashkëta”.

banner

E për këtë çështje ka folur edhe Lisa Homel nga organizata amerikane, “Atlantic Council”.

Në një deklaratë për televizionin polak, “TVPWorld”, që është pjesë e televizionit publik polak, ajo thotë se vendimi ka ardhur si pasojë e frustrimit të madh që ekziston në ShBA në raport me qeverinë në Kosovë.

“Suspendimi reflekton frustrimin e thellë në Uashington”, tha Homel, transmeton Klankosova.tv.

Sipas shkrimit të “TVPWorld”, thuhet se vendimi erdhi pas muajsh kritikash nga Perëndimi ndaj qasjes së ashpër të Prishtinës.

Ky pezullim, sipas shkrimit, ishte shumë i dhimbshëm për Kosovën, e cila prej kohësh i konsideron Shtetet e Bashkuara si mbështetësen kryesore dhe garantuesen e saj të sigurisë.

Trupat Amerikane mbesin pjesë qendrore në KFOR, dhe mbështetja amerikane ka rritur numrin e njohjeve diplomatike që nga pavarësia.

“Humbja e besimit të Uashingtonit rrezikon ta dobësojë këtë mbështetje në një kohë kur aleatët e Serbisë, kryesisht Rusia dhe Hungaria, po punojnë për ta izoluar edhe më shumë Kosovën”, thotë më tej shkrimi në fjalë.

Dialogu i ngrirë me Beogradin

Analiza e “TVPWorld” thotë më tej se nëse marrëdhëniet me Brukselin janë të tensionuara, ato me Beogradin mbeten edhe më të ftohta. Dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja, që synonte normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, pothuajse nuk ka lëvizur që nga Marrëveshja e Ohrit e vitit 2023 – një plan që të dyja palët e miratuan verbalisht, por nuk e nënshkruan kurrë.

Marrëveshja parashihte që Kosova të themelonte Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, që do t’i jepte komunitetit serb në veri kompetenca të kufizuara vetëmenaxhimi, ndërsa Serbia do të ndalonte bllokimin e njohjes ndërkombëtare të Kosovës dhe do t’i lejonte anëtarësimin në organizata shumëpalëshe. Asnjëra palë nuk e ka përmbushur detyrimin.

Kurti këmbëngul se krijimi i AKS-së pa njohjen e Kosovës nga Serbia do të sillte ndarjen “përmes derës së pasme”. Ndërkaq, Beogradi refuzon të lëvizë drejt njohjes pa u themeluar asociacioni.

Ngërçi është thelluar që nga sulmi në Banjskë në shtator 2023, kur një grup paramilitar serb vrau një polic të Kosovës në veri. Prishtina fajëson Beogradin për organizimin e sulmit, akuzë që presidenti serb Alleksandar Vuçiq e mohon.

Që atëherë, Kurti ka shtrënguar kontrollin në zonë, veprime që Brukseli dhe Uashingtoni i konsiderojnë si shkelje të marrëveshjeve të mëparshme mes dy vendeve. /Klankosova.tv

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy