Nvidia ka hyrë në histori si kompania e parë në botë që arrin një vlerë tregu prej 5 trilionë dollarësh, duke kapërcyer çdo rekord të mëparshëm në bursën globale.
Kërkesa e jashtëzakonshme për çipet e inteligjencës artificiale (AI) të kompanisë ka çuar vlerën e saj në nivele të papara më parë.
Ky moment historik u arrit të mërkurën në hapje të tregjeve, vetëm tre muaj pasi Nvidia kishte kaluar pragun e 4 trilionë dollarëve. Për ta kuptuar më qartë ritmin e rritjes: kompanisë i janë dashur vetëm 13 muaj për të kaluar nga 3 në 4 trilionë dollarë.
Aksionet e Nvidia-s (NVDA) u rritën me 3% në hapje të tregut, ndërsa gjatë vitit 2025 janë rritur me rreth 50%. Prej disa vitesh, kompania ka qenë ndër më të suksesshmet në indeksin S&P 500, falë bumit të investimeve në teknologjinë e inteligjencës artificiale.
Rritjen e çmimit të aksioneve të mërkurën e nxitën edhe pritshmëritë për një takim mes Presidentit amerikan Donald Trump dhe liderit kinez Xi Jinping, që mund të hapte tregun kinez për çipet e nivelit të lartë të Nvidia-s. Një ditë më parë, CEO i kompanisë, Jensen Huang, gjatë fjalimit të tij në konferencën “GTC AI” në Uashington, shpalosi vizionin e tij për një të ardhme ku çipet e Nvidia-s do të përdoren në çdo fushë, nga kullat e telefonisë celulare deri te makinat me autopilot.
Në të njëjtën kohë, një tjetër gjigant teknologjik, Apple, ka kaluar kufirin e 4 trilionë dollarëve, duke dëshmuar se iPhone mbetet ende një magnet për konsumatorët dhe investitorët, pavarësisht se kompania ka mbetur pas në garën për inteligjencën artificiale.
Së fundmi, Nvidia dhe OpenAI kanë njoftuar një marrëveshje gjigante bashkëpunimi: OpenAI do të blejë çipa me vlerë miliarda dollarë, ndërsa Nvidia do të investojë 100 miliardë dollarë në kompaninë e ChatGPT-së, me pagesa që do të shpërndahen me kalimin e kohës. Për më tepër, Nvidia ka njoftuar një investim prej 5 miliardë dollarësh në Intel, i cili po përballet me vështirësi financiare.
Megjithatë, disa analistë paralajmërojnë se ky “rreth investimesh të ndërsjella”, së bashku me ritmet e frikshme të rritjes së industrisë dhe paqartësinë mbi kthimin real të investimeve në AI, mund të krijojnë një flluskë financiare që rrezikon të shpërthejë.
Sipas drejtuesve të kompanisë, gjatë shpalljes së rezultateve të tremujorit të fundit, Nvidia pret të përfitojë nga deri në 4 trilionë dollarë investime në infrastrukturën e AI deri në fund të dekadës. Vetëm në tremujorin e fundit, kompania ka realizuar gati 26 miliardë dollarë fitim neto, një shifër që e vendos në majën e botës së teknologjisë.

