Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, e cila udhëheqhet nga Hekuran Murati ka thirrur në takim përfaqësuesit e institucioneve dhe shoqatave të ndryshme për të diskutuar rreth çështjes së rritjes së pagës minimale.
Takimi pritet të ndodh të enjten e 30 tetorit nga ora 10:00.
“Në emër të Ministrit të Financave, Punës dhe Trasnfereve, z.Hekuran Murati, ju ftojnë të merrni pjesë në takimin ku do të diskutohet çështja e rritjes së pagës minimale. Takimi do të mbahet të enjten, 30 tetor, nga ora 10:00”, thuhet në email-in e publikuar nga Telegrafi.
Rritjen e pagës minimale e përmendi edhe Kryeministri në detyrë, Albin Kurti në seancën e së dielës, kur dhe prezantoi kabinetin e ri qeveritar që dështoi të votohej.
Ai premtoi pesë vendime qysh në javën e parë të qeverisë, ku në mesin e tyre, e para ishte rritja e pagës minimale në 500 euro.
Qeveria e Kosovës në mbledhjen e 28 gushtit të vitit 2024 kishte marrë vendim që niveli i pagës minimale në vend të jetë 350 euro bruto.

