Sigal Prishtina ka vazhduar formën e mirë në arenën ndërkombëtare, duke regjistruar fitoren e tretë rresht në ENBL League.
Të mërkurën mbrëma, “bardhekaltërit” kanë fituar si mysafirë ndaj Slovan Bratislavës me rezultat 78:73, në ndeshjen e zhvilluar në “Gopass Arena” të Sllovakisë.
Skuadra prishtinase e ka nisur mirë ndeshjen, duke e mbyllur pjesën e parë me epërsi 39:32. Në periudhën e tretë, vendasit e kanë përmbysur përkohësisht rezultatin në 56:55, por Prishtina ka reaguar shumë mirë në çerekun e fundit, të cilin e fitoi 23:17, për ta mbyllur takimin me pesë pikë dallim.
Më i miri në parket ka qenë Deondre Burns, i cili ka shënuar njëzet e katër pikë, gjashtë asistime dhe dy kërcime, ndërsa Adrio Bailey ka kontribuuar me nëntëmbëdhjetë pikë dhe tetë kërcime.
Kjo është fitorja e gjashtë rresht për Prishtinën në të gjitha garat, përfshirë edhe ato në Superligën e Kosovës. Në dy ndeshjet e mëparshme të ENBL League, prishtinasit kishin mposhtur Gimle Basket (90:79) dhe Brussels Basketball (80:75).
Ndeshjen e radhës, Sigal Prishtina e zhvillon më 4 nëntor në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë. Në këtë ligë po merr pjesë edhe Go+ Peja, e cila pas tri ndeshjeve ka një fitore dhe dy humbje

