Supremja: Udhëzimi Administrativ që ndalon bartjen e mbulesës islame në shkolla është në përputhje me ligjin

by Nexhat

Kolegji i Gjykatës Supreme e ka refuzuar si të pabazuar kërkesëpadinë e paditëses nga Rrjeti i Femrave për Zhvillim Profesional “Arrita”, e paraqitur kundër Ministrisë së Arsimit, me të cilën ka kërkuar që të shpallet i paligjshëm dhe të shfuqizohet Udhëzimi Administrativ që ndalon shaminë në shkolla (Kodi i Mirësjelljes dhe Masat Disiplinore për Nxënës të Shkollave të Mesme të Larta).

Gjykata tha se e ka shqyrtuar me kujdes bazën ligjore të aktit nënligjor dhe tha se ka vlërësuar se ka autorizim të qartë ligjor për të përcaktuar rregulla për sjelljen e nxënësve, përfshirë edhe rregullat për veshjen – uniformën

banner

“Paditësja pretendon se me Udhëzimin Administrativ nr.06/2014, që është një akt administrativ i përgjithshëm, nuk mund të ndalohet ushtrimi i të drejtave dhe lirive kushtetuese të vajzave që mbajnë shaminë e kokës (mbulesën islame). E njëjta ka theksuar se me neni 55.1 të Kushtetutës, saktësohet qartë se “të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me këtë Kushtetutë, mund të kufizohen vetëm me ligj”, duke shtuar se në katër vitet e fundit kanë pranuar ankesa të shumta nga vajzat që janë përjashtuar nga shkollat publike ose të cilave u është pezulluar vijimi i rregullt i procesit mësimor për shkak të bartjes së shamisë në kokë”.

“Gjykata Supreme e Kosovës ka shqyrtuar me kujdes bazën ligjore të aktit nënligjor normativ të kontestuar, përkatësisht Udhëzimit Administrativ Nr.06/2014, dhe ka vlerësuar se dispozita nga neni 3 paragraf 1, nën paragraf 1.13, gjen mbështetje në Ligjin nr. 04/L-032 për Arsimin Parauniversitar në Republikën e Kosovës dhe në Ligjin nr. 04/L-138 për Arsimin dhe Aftësimin Profesional. Nga këto dispozita rezulton se Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, ka autorizim të qartë ligjor për të përcaktuar rregulla për sjelljen e nxënësve, përfshirë edhe rregullat për veshjen – uniformën. Rrjedhimisht, akti nënligjor është në përputhje me autorizimin e shprehur ligjor të dhënë nga ligjvënësi. Përcaktimi sikurse në aktin e kontestuar, me të cilin ndalohet bartja e uniformës fetare në shkolla, gjen mbështetje në një akt më të lartë ligjor për nga fuqia hierarkike, andaj si i tillë nuk mund të shfuqizohet”.

Gjykata është kufizuar në arsyetimin e pretendimeve, përkitazi me nenin 55 paragraf 1 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, përkatësisht për kufizimin e lirisë së besimit dhe fesë, si një ndër të drejtat dhe liritë themelore të njeriut të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

“Ndërlidhur me këtë, Gjykata rikujton se, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, me aktvendimin nr. KI 36/11, të datës 30 shtator 2011, në interpretim të drejtave dhe lirive themelore në pajtim me vendimet gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ), në pikën 76 të aktvendimit të saj ka theksuar se: liria fetare është kryesisht një çështje e ndërgjegjes individuale dhe përfshin edhe manifestimin e fesë në mënyrë private dhe publike, por nuk mbulon çdo veprim të motivuar nga feja. Në një shoqëri demokratike ku bashkëjetojnë fe të ndryshme, kjo liri mund të kufizohet për të ruajtur harmoninë dhe respektin për besimet e të gjithë qytetarëve, duke theksuar rolin neutral dhe të paanshëm të shtetit si garant i tolerancës fetare. Gjykata ka vënë në dukje se rregullat lidhur me bartjen e simboleve fetare në institucionet arsimore ndryshojnë nga vendi në vend, duke u bazuar në traditat kombëtare dhe nevojën për mbrojtjen e të drejtave dhe rendit publik”.

Gjykata po ashtu ka rikujtuar se Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut në shumë raste është përballur me ankesa që pretendonin se një individ i është nënshtruar trajtimit diskriminues në bazë të fesë apo besimit.

Prandaj, Gjykata Supreme thotë se vlerëson se ligjdhënësi, në mënyrë të tërthortë por të qartë, ka përcaktuar kufizime të pranueshme në lidhje me veshjen e nxënësve, duke i lënë në kompetencë të ministrisë përkatëse caktimin e këtyre rregullave nëpërmjet akteve nënligjore.

“Gjykata Supreme çmon se rregullat e miratuara nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, të cilat ndalojnë bartjen e çdo veshjeje tjetër përveç uniformës shkollore, janë në përputhje me ligjin dhe me kompetencën e deleguar ligjore, dhe si të tilla nuk përbëjnë tejkalim të autorizimeve të dhëna nga ligjdhënësi”.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy