Trump thotë se “është mjaft e qartë” që nuk mund të kandidojë për një mandat të tretë për president

by Nexhat

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump e ka pranuar se nuk mund të kandidojë për një mandat të tretë për pozitën e presidentit, pasi më herët kishte shmangur ta përjashtonte plotësisht këtë mundësi.

“Kam rezultatet më të larta në sondazhe që kam pasur ndonjëherë, dhe, e dini, bazuar në atë që lexova, mesa duket nuk më lejohet të kandidoj. Pra, do të shohim çfarë do të ndodhë,” u tha Trump gazetarëve gjatë udhëtimit me avionin presidencial Air Force One drejt Gyeongju, në Korenë e Jugut, raporton ABC News, përcjell Gazeta Express.

banner

“Do të thosha që, nëse e lexon (kushtetutën), është mjaft e qartë. Nuk më lejohet të kandidoj. Është për të ardhur keq, por kemi shumë njerëz të shkëlqyer”, shtoi ai.

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson, deklaroi të martën se ai nuk “sheh asnjë rrugë” që Trump të kërkojë një mandat të tretë.

“Ka qenë një periudhë e jashtëzakonshme, por mendoj se presidenti e di — dhe kemi folur për këtë — kufizimet që vendos Kushtetuta, sado që shumë amerikanë e ndiejnë keq këtë gjë,” tha Johnson gjatë një konference për shtyp në Kapitol Hill.

Trump shmangu pyetjet në lidhje me komentet e Johnson-it, duke theksuar në vend të tyre rezultatet e tij të larta në sondazhe.

“Nuk dua të flas për këtë, sepse, e dini, gjëja e trishtë është që kam rezultatet më të larta që kam pasur ndonjëherë,” shtoi ai.

Trump ka përmendur disa herë mundësinë e një mandati të tretë, megjithëse Kushtetuta e ndalon këtë. Amendamenti i 22-të përcakton qartë se asnjë person nuk mund të zgjidhet president më shumë se dy herë.

Të hënën, kur u pyet për mundësinë e një kandidimi në vitin 2028, Trump tha se “do t’i pëlqente ta bënte”, por Johnson të martën deklaroi se nuk sheh asnjë mënyrë për ta ndryshuar Kushtetutën.

“Nuk shoh asnjë mënyrë për ta ndryshuar Kushtetutën, sepse për këtë duhen rreth dhjetë vjet,” tha Johnson, i cili është jurist kushtetues. “Siç e dini, duhet që dy të tretat e Dhomës dhe tre të katërtat e shteteve ta ratifikojnë. Prandaj nuk e shoh si të mundur, por mund t’ju them se nuk do të ndalemi së punuari fort.”

Të hënën, Trump gjithashtu duket se përjashtoi mundësinë për të qenë kandidat për nënkryetar në biletën republikane të vitit 2028.

“Po, do të më lejohej ta bëja këtë,” tha ai. “Por mendoj se do të ishte shumë e ekzagjeruar. Po, do ta përjashtoja, sepse do të ishte shumë e sforcuar. Njerëzve nuk do t’u pëlqente. Do të ishte shumë artificiale — dhe nuk do të ishte e drejtë.”

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy