Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, sipas nënkryetarit të saj, Ardian Gjini është djegë nga koalicioni që kanë pasur për zgjedhjet nacionale me Nismën Socialdemokrate të Fatmir Limajt.
Gjini në Rubikon të Klan Kosovës, ka deklaruar se duhet të jenë të kujdesshëm se kujt ia besojnë koalicionet si parti, transmeton Klankosova.tv.
“Në biseda që i kemi pas me kryetarin dhe kolegët të kryesisë Aleanca shkon vetëm në garë kësaj radhe nuk bëjmë koalicione. Shkojmë vetëm në zgjedhje. Nuk besoj që jemi të gatshëm që të hyjmë edhe në një aventurë. Nuk është hiq marre me thanë që situata me Limajn e Nismën na ka djegë. Përkthehet në diçka që ne mendojmë që nuk na është deshtë”, tha Gjini.
Ndërsa sa i përket ftesës së LVV-së për një koalicion të mundshme në komunën e Pejës, Gjini pati këtë përgjigje.
“Po besoj që për hir të korrektësisë unë nuk mund të them diçka sot, por i besoj jashtëzakonisht shumë gjykimit racional të Ali Berishës, kemi pasur biseda me të por duhet me pa çka ndodhë, unë i besoj gjykimit të tij. Ai duhet me thënë fjalën e fundit”, tha Gjini.
 
  
  
  
 

