Kongresisti demokrat, William R. Keating, ka propozuar një projektligj “Akti për Demokracinë dhe Prosperitetin e Ballkanit Perëndimor” për të inkurajuar rritjen e tregtisë dhe investimeve midis Shteteve të Bashkuara dhe vendeve në Ballkanin Perëndimor, si dhe për qëllime të tjera.
Ky projektligj, që mban datën 10 shtator të këtij viti dhe i dërgohet Senatit dhe Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për miratim, i bën thirrje Kosovës dhe Serbisë të bëjnë përparim të shpejtë në zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, ndërsa qeverisë amerikane i kërkon që të bëhet politikë e saj mospërkrahja e ndryshimit të kufijve mes Kosovës e Serbisë apo edhe atyre në rajon,
“…është politikë e Qeverisë së Shteteve të Bashkuara që të mos ndjekë asnjë politikë që mbështet shkëmbimet e territoreve, ndarjen ose forma të tjera të rishkrimi të kufijve përgjatë vijave etnike në Ballkanin Perëndimor si një mënyrë për të zgjidhur mosmarrëveshjet midis shteteve të rajonit”, thuhet ndër të tjera në këtë projektligj.
Ky projektligj më9 tetor u dërgua në Komisionin për Çështjet e Jashtme dhe gjithashtu në Komisionin për Drejtësinë, për një periudhë që do të përcaktohet më vonë nga Kryetari i Dhomës, në secilin rast për shqyrtimin e dispozitave që bien brenda juridiksionit të komisionit përkatës. Kalimi në këtë fazë është hapi themelor përpara debatit në seancë.
Projektligji është në fazën fillestare dhe para vetes ka një rrugë të gjatë për t’u bërë ligj. Ai duhet të kalojë në Dhomë dhe Senat dhe më pas te presidenti Donald Trump për ta nënshkruar (nëse e nënshkruan) dhe pastaj të bëhet ligj.
Një amendament me kërkesa të ngjashme kishin propozuar edhe senatorët amerikanë, republikani Thom Tillis dhe demokratja Jeanne Shaheen, të cilët, më 6 shtator, i kanë prezantuar një amendament Kongresit amerikan përmes të cilit kërkojnë njohjen reciproke midis Kosovës dhe Serbisë dhe refuzim të politikës që mbështet ndryshimin e kufijve mes dy vendeve fqinje.
Më poshtë neni 11 i projektligjit që propozoi Keating që flet për marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë:
11. Marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë
(a) Qëndrim i Kongresit
– Kongresi e sheh kështu:
(1) Marrëveshja për Rrugën drejt Normalizimit të Marrëdhënieve, e cila u arrit nga Kosova dhe Serbia më 27 shkurt 2023, me lehtësimin e Bashkimit Europian, është një hap pozitiv për përparimin e normalizimit midis dy vendeve;
(2) Serbia dhe Kosova duhet të bëjnë përparim të menjëhershëm mbi Aneksin e Zbatimit të marrëveshjes, të përmendur në paragrafi (1);
(3) Pasi të arrihet përparim i mjaftueshëm mbi Aneksin e Zbatimit, Shtetet e Bashkuara duhet të konsiderojnë avancimin e iniciativave për të fuqizuar marrëdhëniet bilaterale me të dyja vendet, që mund të përfshijnë:
(A) krijimin e dialogëve strategjikë bilateralë me Kosovën dhe Serbinë; dhe
(B) promovimin e iniciativave konkrete për të thelluar tregtinë dhe investimet me të dy vendet;
Shtetet e Bashkuara duhet të vazhdojnë të mbështesin një marrëveshje përfundimtare gjithëpërfshirëse midis Kosovës dhe Serbisë, bazuar në njohjen reciproke.
(b) Deklaratë politike. – Politika e Qeverisë së Shteteve të Bashkuara është se:
Ajo nuk do të ndjekë asnjë politikë që mbështet shkëmbime territoresh, ndarje, ose forma të tjera të rishikimit të kufijve mbi vija etnike në Ballkanin Perëndimor, si një mënyrë për të zgjidhur mosmarrëveshjet midis shteteve të rajonit; dhe
Ajo duhet të mbështesë demokracitë pluraliste në vendet e Ballkanit Perëndimor, si një mënyrë për të parandaluar kthimin në përplasje etnike që dikur karakterizuan rajonin

