Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thirrur takim me partitë politike për nesër në ora 12:00 pasi më 26 tetor kryetari i VV’së, Albin Kurti, dështoi t’i marrë 61 votat e nevojshme për të formuar Qeverinë Kurti 3.
Deri tani pjesëmarrjen e kanë konfirmuar kryetari i PDK’së Memli Krasniqi, kryetari i LDK’së Lumir Abdixhiku, ai i AAK’së Ramush Haradinaj dhe i pari i Nismës Fatmir Limaj.
Shkuarjen e Krasniqit në takim e konfirmoi deputetja Vlora Citaku.
“Po e kemi marrë ftesën dhe kryetari merr pjesë”, tha ajo .
Krasniqi, të dielën e hodhi poshtë mundësinë që të bëhet mandatar i radhës, në rast se presidentja do ta pyeste nëse e ka shumicën.
Se do të shkojë Abdixhiku në takim e konfirmoi zëdhënësi i LDK’së, Besian Mustafa, në një përgjigje për Gazetën Express.
“Po, merr pjesë”, tha ai shkurt.
Zëdhënësi i i AAK’së, Kushtrim Xhemajli, tha se Haradinaj merr pjesë në takim.
“Po, do të marrë pjesë në takim”, tha Xhemajli
Ndërsa, kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, e konfirmoi vetë pjesëmarrjen në një përgjigje të shkurtë
Lidhur me këtë takim ende s’është deklaruar Vetëvendosje

