Argjentina e Lionel Messit do të zbresë në kontinentin afrikan për një ndeshje miqësore luksoze kundër Angolës më 14 nëntor. Për ta bërë të mundur këtë spektakël futbolli, qeveria angolane ka hapur arkën e shtetit, duke paguar plot 12 milionë euro Federatës Argjentinase të Futbollit.
Takimi, që do të zhvillohet në kryeqytetin Luanda, është pjesë e festimeve për 50-vjetorin e pavarësisë së Angolës. Sipas mediave lokale, marrëveshja garanton praninë e yllit të Inter Miami-t, Lionel Messi, si dhe të pjesës më të madhe të kampionëve të botës nga “Albiceleste”.
Angola ka arritur të sigurojë këtë miqësore prestigjioze pas një gare të fortë me Marokun, që gjithashtu kishte shprehur interes për të përballur Argjentinën. Organizatorët shpresojnë që ndeshja të kthehet në një ngjarje historike për vendin dhe të promovojë imazhin e tij në arenën ndërkombëtare të futbollit.

