Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka reaguar ashpër ndaj vendimeve të marra nga Qeveria në detyrë, duke i cilësuar ato të kundërligjshme dhe me karakter elektorale.
Në një komunikatë për media, IKD thekson se kabineti qeveritar që miratoi këto masa nuk ka kompetencë ligjore për vendimmarrje, pasi – sipas aktgjykimit të Gjykatës Supreme – disa anëtarë të qeverisë janë në papajtueshmëri me Kushtetutën, duke ushtruar njëkohësisht detyrat e deputetit dhe të ministrit.
Sipas institutit, miratimi i Projektbuxhetit për vitin 2025, vendimi për rritjen e pagave dhe pensioneve, si dhe paga e 13-të, janë ndër hapat që shkelin ligjin për Qeverinë dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës. “Këto masa, të ndërmarra pak para raundit të dytë të zgjedhjeve lokale dhe në prag të zgjedhjeve të mundshme parlamentare, janë veprime me qasje elektorale”, thuhet në reagim.
IKD thekson se nuk kundërshton përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve, por se çdo vendim i tillë duhet të jetë në përputhje me ligjin dhe jo pjesë e kalkulimeve politike. “Kur ligjet shkelen për qëllime politike, sot mund të fitojmë diçka, por nesër humbim drejtësinë dhe barazinë para ligjit,” thuhet më tej në komunikatë.
Instituti paralajmëron se tejkalimi i kompetencave nga anëtarët e qeverisë mund të përbëjë vepër penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare, sipas nenit 414 të Kodit Penal të Kosovës, dhe kërkon nga Prokuroria Speciale që të shqyrtojë përgjegjësinë ligjore për këtë rast.
Në fund, IKD apelon që Kuvendi të mos e shqyrtojë Buxhetin e propozuar nga kjo përbërje qeveritare, duke e konsideruar të pavlefshëm juridikisht dhe në kundërshtim me parimet kushtetuese.
Më shumë: https://kli-ks.org/ikd-qeveria-ne-detyre-mori-nje-sere-vendimesh-te-kunderligjshme-dhe-elektorale/

