Një debat i pazakontë ka shpërthyer mes Kim Kardashian dhe Sean Duffy, Sekretari amerikan i Transportit dhe drejtori në detyrë i NASA-s nën administratën e Donald Trump. Shkak u bë një deklaratë e yllit të “The Kardashians”, e cila në një episod të fundit të emisionit të saj ka vënë në dyshim autenticitetin e uljes së njeriut në Hënë në vitin 1969.
Në një bisedë me aktoren Sarah Paulson, Kardashian është shprehur skeptike për misionin “Apollo 11”, duke cituar një intervistë të astronautit Buzz Aldrin që, sipas saj, “pranon se gjithçka ishte e inskenuar”. “S’kishte momente të frikshme, sepse nuk ndodhi fare,” citoi Kim, duke shtuar se flamuri amerikan në Hënë “lëvizej sikur të kishte erë – dhe në Hënë nuk ka erë”.
Deklaratat e saj ndezën reagime të shumta, përfshirë edhe atë të Duffy-t, i cili përmes një postimi në X (ish-Twitter) u përgjigj prerë:
“Ne e fituam garën e parë hapësinore dhe do ta fitojmë edhe këtë,” shkroi ai, duke iu referuar përpjekjeve të reja të NASA-s për eksplorimin e Hënës dhe Marsit.
Kardashian, e njohur për përfshirjen e saj në teori konspirative, iu kundërpërgjigj me një koment ironik, duke pyetur për kometën “3I Atlas”, të cilën disa e lidhin me teori për anije kozmike aliene.
Ekspertët tërheqin vëmendjen se rreth 10 për qind e amerikanëve vazhdojnë të besojnë se ulja në Hënë ishte e rreme, pavarësisht provave shkencore dhe materiale të shumta që e kundërshtojnë këtë teori. NASA ka sqaruar se flamuri amerikan dukej sikur po valëvitej për shkak të një shufre horizontale që e mbante të shtrirë, e jo për shkak të ndonjë ere në sipërfaqen hënore.
Përplasja mes Kardashian dhe Duffy-t është bërë virale, duke rikthyer në qendër të vëmendjes një nga teoritë më të vjetra konspirative në historinë e Shteteve të Bashkuara.

