Real Madridi ka shfrytëzuar me sukses tregun francez të Ligue 1 vitet e fundit, duke transferuar lojtarë si Eduardo Camavinga, Ferland Mendy, Raphael Varane dhe Aurelien Tchouameni që në moshë të re drejt Madridit. Tani, talenti më i ri që ka tërhequr vëmendjen e klubit madrilen është Ayyoub Bouaddi, mesfushori 18-vjeçar i Lille.
I riu ka bërë bujë që nga debutimi i tij në fillim të sezonit të kaluar, ku impresionoi përballë Atletico Madrid dhe Real Madrid në Ligën e Kampionëve. Bouaddi tashmë është shndërruar në një lojtar të rëndësishëm në kampionatin francez. Në të njëjtën kohë, po zhvillohet një “betejë” për ta bindur në nivel ndërkombëtar – Maroku po përpiqet ta sigurojë para Francës.
Talenti adoleshent cilësohet si një nga më premtuesit në futbollin evropian, duke treguar forcë fizike, aftësi për të fituar topin dhe teknikë të lartë. Sipas raportimeve të The Daily Briefing, Real Madrid po e ndjek nga afër progresin e tij te Lille.
Nuk është çudi që “Los Blancos” janë ndër klubet që e kanë nën vëzhgim Bouaddin, megjithëse deri tani nuk kanë qenë aq aktivë sa të tjerët. Manchester United, Juventus dhe Paris Saint-Germain kanë dërguar tashmë skautët e tyre për ta parë nga afër, ndërsa kreu i rekrutimit të të rinjve te United, Christopher Vivell, është shprehur shumë i impresionuar. Edhe AC Milan po përgatit terrenin për një lëvizje të mundshme.
Aktualisht, Real Madrid ka disa alternativa për rolin e mesfushorit të thellë – përfshirë Camavinga, Fede Valverde, Dani Ceballos dhe Tchouameni. Megjithatë, me Ceballos që i skadon kontrata në fund të sezonit, mund të hapet rruga për një mesfushor të ri. Gjithsesi, në klub po diskutohet mundësia e afrimit të një titullari të gatshëm verën e ardhshme, në vend të një lojtari premtues për të ardhmen
 
  
  
  
 

