Kapiteni i Kombëtares së Kosovës, Amir Rrahmani, është gati të rikthehet në formacionin bazë të Napolit pas një periudhe mungese për shkak të lëndimit. Mbrojtësi kosovar pritet të jetë startues në ndeshjen e Serie A kundër Comos, ekip që drejtohet nga ish-ylli spanjoll Cesc Fabregas.
Sipas raportimeve të “Sky”, trajneri i Napolit do t’i besojë Rrahmanit në qendër të mbrojtjes, ndërsa në formacion pritet të rikthehet edhe sulmuesi danez Rasmus Hojlund. Ndeshja do të zhvillohet në stadiumin “Diego Armando Maradona”, ku napolitanët synojnë fitoren e pestë radhazi në shtëpi në të gjitha garat.
Një triumf do t’i lejonte Napolit të marrë epërsi prej tre pikësh ndaj Romës në krye të tabelës, përpara përballjes së verdhekuqve me Milanin të dielën.
Skuadra e Napolit ende po përballet me mungesa të rëndësishme, përfshirë Romelu Lukakun, Mirko Continin, Alex Meretin dhe Kevin De Bruynen, ndërsa Matteo Politano është rikuperuar dhe pritet të jetë në dispozicion pas një dëmtimi të lehtë në xhiron e fundit.
Rikthimi i Rrahmanit shihet si lajm i mirë për kampionët në fuqi të Italisë, që po synojnë të ruajnë formën e mirë dhe të konsolidojnë pozitën në garën për kreun e Serie A.

