Ish-kryeministri i Kosovës dhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka reaguar ashpër pas dorëzimit në Kuvend të Projektligjit për Buxhetin e Kosovës për vitin 2026 nga Qeveria në detyrë. Ai e ka cilësuar këtë veprim si “kundërligjshëm” dhe “tejkalim të autorizimeve ligjore” që i takojnë një qeverie pa mandat të plotë.
Në reagimin e tij, Hoti ka theksuar se në të kaluarën, edhe pse qeveritë në detyrë e kanë përgatitur projektbuxhetin, dorëzimi i tij në Kuvend është bërë vetëm nga qeveria e re e zgjedhur nga deputetët. “Kryetari i Kuvendit është bërë pjesë e shkeljeve ligjore duke e shpërndarë atë tek deputetët,” ka shkruar Hoti.
Ai ka theksuar gjithashtu se projektligji është prezantuar dhe dorëzuar nga persona që, sipas një aktgjykimi të Gjykatës Supreme, po mbajnë pozitat e ministrit dhe kryeministrit në mënyrë kundërligjore. “Ky veprim përbën shkelje të qartë të ligjit dhe të Kushtetutës,” ka shtuar ai.
Duke kritikuar institucionet për mungesë veprimi, Hoti ka pyetur publikisht se “çfarë duhet të ndodhë tjetër që organet e sundimit të ligjit të ndërmarrin hapa për të ndalur këto abuzime me resurset publike”.
Ai ka akuzuar presidenten dhe kryeministrin në detyrë se “nuk e kanë hallin e qytetarëve, por të ruajtjes së pushtetit me çdo kusht”. Sipas tij, “këta janë politikanë që mbijetojnë në politikë vetëm përmes krizave, sepse nuk mund të ekzistojnë në një situatë normale politike, ku mashtrimet nuk funksionojnë.”

