Oda Amerikane kritikon Qeverinë në detyrë: Vendimet e fundit rrezikojnë stabilitetin fiskal dhe ekonomik të vendit

by engel

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK) ka reaguar ashpër ndaj vendimeve të Qeverisë në detyrë, të cilat përfshijnë miratimin dhe procedimin e Projektligjit për Buxhetin e Kosovës për vitin 2026, si dhe vendimin për rritjen e pagës minimale nga 350 në 500 euro.

Në reagimin e saj, OEAK shprehet thellësisht e shqetësuar që këto vendime po merren në një periudhë kur vendi ende nuk ka një qeveri të re pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, duke theksuar se masat me ndikim afatgjatë në politikat fiskale dhe ekonomike duhet të ndërmerren vetëm nga një qeveri me mandat të plotë dhe legjitimitet demokratik.

banner

“Legjislacioni aktual qartazi kufizon fushëveprimin e një qeverie në detyrë, duke i lejuar asaj vetëm aktivitete të domosdoshme dhe përmbushjen e obligimeve teknike për paraqitjen e projektbuxhetit, por jo miratimin ose inicimin e masave të reja fiskale që krijojnë detyrime afatgjata për financat publike,” theksohet në reagim.

Në lidhje me rritjen e pagës minimale, OEAK pranon rëndësinë e përmirësimit të kushteve të punës, por paralajmëron se një vendim i tillë duhet të bazohet në analiza gjithëpërfshirëse të tregut të punës, produktivitetit dhe kapaciteteve të sektorit privat. “Vendimet e paanalizuara mirë mund të cenojnë stabilitetin e tregut të punës dhe të krijojnë pasiguri për komunitetin e biznesit,” thuhet më tej.

Oda Amerikane paralajmëron se politikat e reja të shpenzimeve publike në këtë fazë mund të rrisin ngarkesën buxhetore për vitet e ardhshme, të kufizojnë hapësirën fiskale për investime kapitale dhe të dëmtojnë konkurrueshmërinë e ekonomisë.

Ajo u bën thirrje institucioneve për përmbajtje dhe respektim të plotë të parimeve ligjore e kushtetuese, duke theksuar se çdo devijim nga këto parime do të dëmtonte besimin e qytetarëve dhe bizneseve në stabilitetin institucional të vendit.

Në fund, OEAK nënvizon se “stabiliteti institucional, qeverisja e mirë dhe respektimi i legjitimitetit demokratik janë parakushte të domosdoshme për ndërtimin e një ekonomie të fortë, të qëndrueshme dhe konkurruese në Kosovë.”

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy